AUTOBUS ME DR*GË/ 120 kilogramë kanabis, shoferi arrestohet në kufirin Kosovë–Shqipëri
Njësia Antikontrabandë e Doganës së Kosovës kapi 120 kilogramë kanabis të fshehur në një autobus pa pasagjerë. Mjeti udhëtonte nga Shqipëria drejt Kosovës dhe u shoqërua për kontroll të imtësishëm. Shoferi i autobusit është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Një sasi e madhe narkotikësh është sekuestruar në orët e para të mëngjesit të dtws sw premte ga Njësia Antikontrabandë e Doganës së Kosovës.
Gjatë një kontrolli rutinë në autostradën “Ibrahim Rugova”, autoritetet ndaluan një autobus që po udhëtonte nga Shqipëria drejt Kosovës dhe çuditërisht, pa asnjë pasagjer në bord.
Për shkak të dyshimeve të ngritura, autobusi u dërgua në objektet e Doganës në Prishtinë, ku kontrollet u intensifikuan.
Në operacion u përfshinë edhe njësitë e specializuara me qen nuhatës. Pas disa minutash kërkimi, hetuesit zbuluan rreth 120 kilogramë kanabis të fshehur brenda mjetit.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, u arrestua shoferi i mjetit, B.K., i dyshuar për trafikim të narkotikëve. Ai është ndaluar për 48 orë dhe po përballet me veprën penale të shpërndarjes dhe shitjes së lëndëve psikotrope.
Ndërkohë, Hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë po punojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të dyshuar trafikimi ndërkufitar.
Autoritetet theksojnë se ky është vetëm një prej aksioneve të fundit, në kuadër të luftës kundër narkotikëve dhe kontrabandës në rajon.

