MAQEDONI E VERIUT/ Shqiptarët pa stabilitet! Përçarje të reja politike, ndikim në qeverisje dhe qytetarë
Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të mos gjejnë stabilitet politik. Aleanca për Shqiptarët njofton largimin nga koalicioni AKI, duke deklaruar rikthimin në opozitë në mbrojtje të kauzës kombëtare. Ndërkohë, kryeministri Mickoski përjashton çdo bashkëpunim të ri dhe paralajmëron ndryshime në kabinet.
Pas ndarjeve të thella në zgjedhjet e fundit, partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të mos gjejnë stabilitet politik. Përplasjet dhe ristrukturimet e brendshme po e zgjerojnë krizën, e cila tashmë po reflektohet edhe në skenën qeverisëse dhe në opozitë.
Lëvizja e fundit vjen nga Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, që njoftoi largimin nga koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim.
Sipas tyre, rezultati i zgjedhjeve lokale u ndikua nga, bashkëpunimi i partive shqiptare në pushtet me ato maqedonase, në funksion të platformës së VMRO-së për defaktorizimin e shqiptarëve.
ASH-Sela deklaroi se do të mbetet opozitë, duke e konsideruar mision kauzën kombëtare shqiptare dhe mbrojtjen e interesit politik në vend.
Kryeministri Hristijan Mickoski reagoi, duke e përjashtuar mundësinë që krahu i Selës t’i bashkohet qeverisë.
Ai tha se qeveria tashmë ka një shumicë historike prej dy të tretave në Kuvend dhe nuk po mendon për partnerë të rinj.
Mickoski njoftoi gjithashtu se javën e ardhshme do të publikohen emrat e ministrave të rinj, pas bisedimeve me VLEN, si dhe emërimet për katër komuna që mbetën pa kryetarë pas zgjedhjeve lokale.
Ndërkohë, qytetarët shqiptarë rrezikojnë të mbeten peng i përçarjeve politike. Një opozitë e fragmentuar ul peshën e përfaqësimit të tyre, ndërsa mungesa e unitetit mund të ndikojë në vendimmarrjet për buxhetin, zhvillimin lokal dhe funksionimin e institucioneve ku shqiptarët presin investime dhe shërbime publike.
Ndërsa partitë shqiptare vazhdojnë të përcaktojnë pozicionet e tyre, mbetet në pikëpyetje nëse zërat politikë do të arrijnë të mbrojnë interesat e qytetarëve apo do të vazhdojnë të thellojnë përçarjen.

