Lëvizjet politike në MV/ Gjinali: Largimi i Selës nuk bën habi, aleancat shqiptare të ndërthurura sipas kontekstit politik të momentit

I ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, politologu Ardit Gjinali komentoi lëvizjet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut, duke u ndalur te shkëputja e Aleancës për Shqiptarët e Ziadin Selës nga koalicioni pas zgjedhjeve lokale.

" Vlen për tu përmendur fakti që të gjitha grupimet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut absolutisht që kanë provuar aleancat me njëri-tjetrin, aleanca para zgjedhore, aleanca pas zgjedhore, aleanca në qeverisje apo dhe aleanca në opozitë.

Duke thënë këtë fakt, absolutisht në pamje të parë, përtej deklaratave të së shkuarës së afërt politike të zotit Sela apo dhe të eksponentëve të tjerë të grupimit të drejtuar nga ai të Aleancës për Shqiptarët, ku theksoi se nuk do të kishte një largim nga koalicioni i Aleanca Kombëtare për Integrim.

Nga ana tjetër duke vërejtur eksperiencat politike të së shkuarës, ky ndryshim i drejtimit nga ana e zotit Sela nuk lë shumë vend për ndonjë habi politike, duke qenë se aleancat mes partive të bllokut shqiptar janë të provuara tashmë që janë ndërthurur me njëra-tjetrën sipas kontekstit politik të momentit", u shpreh Gjinali.