VIDEO/ “Policia-Policia, ulu-ulu”- Shtrihen përtokë dy kushërinjtë me 2.2 kg ko*ainë në makinë

Dy kushërinj janë arrestuar nga Policia në Tiranë, pasi akuzohen për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Bëhet fjalë për shtetasit Armand Nela., 34 vjeç dhe Saimir Nela, 31 vjeç, të cilët sipas policisë ishin duke qarkulluar me makinë dhe janë ndaluar për kontroll në vendin e quajtur “Treshi”.

AKSIONI

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Hallka e parë”, duke sekuestruar 2 kg e 235 gram lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe duke arrestuar në flagrancë dy shtetas, kushërinj me njëri-tjetrin.

Operacioni u zhvillua pas administrimit të menjëhershëm të informacioneve operative për dy persona që dyshohej se po transportonin kokainë me qëllim shitjen. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 identifikuan automjetin e dyshuar dhe ndoqën lëvizjen e tij deri në vendin e quajtur “Treshi”, ku automjeti u ndalua dhe u kontrollua.

Gjatë kontrollit të imtësishëm, policia gjeti dhe sekuestroi:

-2 pako me 2 kg e 235 g kokainë,

-1 pistoletë të dyshuar lodër.

VIDEO/ “Policia-Policia, ulu-ulu”- Shtrihen përtokë dy

Dy shtetasit e arrestuar, A. N., 34 vjeç, dhe S. N., 31 vjeç, akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Sipas hetimeve të deritanishme, dy të arrestuarit dyshohet se furnizonin me kokainë individë dhe grupe që më pas e ndanin lëndën narkotike në doza, me qëllim shpërndarjen në zonat “Alliasi” dhe “Oxhaku” të Tiranës.

Hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.