VIDEO/ Zv.ministrja e Infrastrukturës te "Ekonomia": 6,4 miliardë lekë për shtatë projekte hekurudhore në 2026, prioritet Tiranë-Durrës-Rinas

Qeveria po i jep përparësi zhvillimit të transportit hekurudhor, duke rritur ndjeshëm fondet e dedikuara për këtë sektor në buxhetin e vitit 2026.

Sipas të dhënave të paraqitura nga zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkela Muçaj, në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, gjatë vitit të ardhshëm do të investohen 6,4 miliardë lekë në projekte hekurudhore, ndërsa buxheti për këtë sektor do të vazhdojë të rritet në 10 miliardë lekë në 2027 dhe 11,1 miliardë lekë në vitin 2028.

“Transporti hekurudhor është një nga prioritetet strategjike të qeverisë. Investimet e planifikuara synojnë modernizimin e rrjetit ekzistues, rritjen e sigurisë dhe afrimin e standardeve me ato të Bashkimit Europian”, deklaroi Muçaj, gjatë seancës dëgjimore.

Muçaj u ndal te reformat strukturore dhe riorganizimi i sektorit, duke e sjellë atë në standardet dhe sipas modeleve më të mira europaine.

“Zhvillimi i sektorit hekurudhor ka nisur që prej vitit 2021 me reformimin e enteve rregullatore dhe përshtatjen e sistemit shqiptar me modelet europiane. Në kuadër të kësaj reforme, gjatë vitit të ardhshëm pritet të ngrihen Autoriteti i Sigurisë Hekurudhore, Operatori Rregullator Hekurudhor dhe Autoriteti i Hetimeve Hekurudhore”, tha ajo.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm, vijoi Muçaj, do të jetë ndarja e Hekurudhës Shqiptare në dy operatorë: një që do të merret me infrastrukturën fizike dhe tjetri që do të operojë në shërbimet e transportit të pasagjerëve. Ky proces pritet të sjellë menaxhim më efikas dhe transparencë më të lartë në ofrimin e shërbimeve, vuri në duke zv.ministrja.

Muçaj bëri të ditur projektet kryesore hekurudhore për 2026.

Sipas saj, pjesa më e madhe e fondeve të buxhetit të vitit 2026 do të përqendrohet në linjën hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas, një projekt me gjatësi 50 kilometra, që konsiderohet si modeli më i avancuar i investimeve në infrastrukturën hekurudhore shqiptare.

“Aktualisht, po përmbyllet sistemi elektrik dhe po përgatitet flota e parë me pesë trena elektrikë, ndërkohë që po finalizohen komponentët teknikë të linjës. Projekti përfshin gjithashtu dispeçerinë hekurudhore që do të garantojë monitorim dhe shërbim 24 orë në ditë, si dhe trajnimin e personelit që do të operojë në këtë linjë”, theksoi ajo.

Muçaj vuri në dukje se, në Tiranë pritet të ndërtohet edhe stacioni qendror hekurudhor, i cili do të shërbejë si nyjë e re e transportit publik dhe simbol kombëtar i rilindjes së këtij sektori.

Ndërkohë në sistemin hekurudhor, nënvizoi Muçaj, do të ndërmerren investime të reja edhe me mbështetjen europiane.

Në listën e projekteve që pritet të avancojnë janë: Vorë-Hani i Hotit, me vlerë 360 milionë euro, nga të cilat 30% financim në formë granti nga Bashkimi Europian; Durrës-Rrogozhinë, me gjatësi 34 km; Rrogozhinë-Pogradec dhe Rrogozhinë-Vlorë, linja me gjatësi rreth 140 km; Vlorë-Aeroporti i Vlorës, 15 km; Sukth-Porto Romano, që do të lidhë hekurudhën me portin e ri tregtar; Qendra e re e servisit për hekurudhat, për mirëmbajtjen e flotës dhe infrastrukturës.

Qëllimi ynë, tha Muçaj, është integrimi me rrjetin europian.

Zv.ministrja theksoi se objektivi afatgjatë i qeverisë është integrimi i plotë i rrjetit hekurudhor shqiptar me sistemin e transportit europian, duke krijuar korridore të qëndrueshme për pasagjerët dhe mallrat.

“Hekurudha është jo vetëm një investim në infrastrukturë, por edhe në zhvillim ekonomik e mjedisor. Synojmë të krijojmë një sistem modern, të sigurt dhe efikas, që do të ulë kostot e transportit dhe do të reduktojë ndotjen”, tha ajo, teksa nënvizoi se, “buxheti i vitit 2026 për sektorin hekurudhor shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të transportit publik në Shqipëri, duke përforcuar angazhimin e qeverisë për të rikthyer hekurudhën si një nga shtyllat kryesore të lëvizjes kombëtare dhe rajonale”.