Muçaj: Me buxhetin 2026 finalizohen projektet strategjike infrastrukturore
Projektbuxheti i vitit 2026 parashikon mbështetjen e 11 programeve në sektorët kryesorë të zhvillimit ekonomik, që përfshijnë energjinë, infrastrukturën, burimet natyrore, industrinë, hekurudhat, transportin detar, ajror e rrugor, planifikimin urban, si dhe furnizimin me ujë e kanalizime.
Zëvendësministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Enkeleda Muçaj, në seancën dëgjimore për projektbuxhetin, theksoi se projektet infrastrukturore strategjike po ecin sipas planit dhe shumë prej tyre janë në fazën përfundimtare.
Synimi ynë tha ajo është garantimi i realizimit të investimeve publike dhe nxitja e zhvillimit rajonal gjatë vitit të ardhshëm.
Sa i takon rrugës Qukës – Qafë Plloçë, Muçaj sqaroi se ndonëse ka pasur problematika teknike dhe gjeologjike, tashmë projekti është i përfunduar plotësisht. “Kjo rrugë ka kaluar sfida të mëdha teknike, por sot është e përfunduar dhe funksionale”, tha ajo.
Për rrugën Korçë – Ersekë, zëvendësministrja theksoi se ndodhet në periudhën e garancisë, ndërsa kontraktori po punon për zgjidhjen e disa problematikave të mbetura, pa asnjë kosto shtesë për buxhetin e shtetit. “Rruga është përfunduar teknikisht dhe po verifikohet përputhshmëria teknike”, shtoi Muçaj.
Ndërkohë, projekti Thumanë – Kashar mbetet një ndër projektet koncesionare me pagesë, pjesë e strategjisë për modernizimin e akseve kryesore rrugore të vendit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetit, Muçaj sqaroi se rruga Milot-Balldren është në fazën e shqyrtimit të ofertave dhe pritet të hyjë në procedurë deri në qershor të vitit të ardhshëm.
Ajo shpjegoi se, për segmentin Elbasan-Qafë Thanë, punimet po vazhdojnë në të gjitha lotet. Faza e parë ka përfunduar me ndërtimin e 5 km të parë, ndërsa segmenti 3,84 km i lotit të dytë pritet të përfundojë në prill 2026. Bajpasi i Librazhdit ka një realizim fizik mbi 50%.
Muçaj njoftoi gjithashtu se po punohet në përgatitjen e projekteve për rrugën Rrogozhinë-Durrës. Ndërsa për bajpasin e Elbasanit po zhvillohen diskutime për financimin.
Në lidhje me investimet rrugore, zv.ministrja Muçaj bëri me dije se segmenti Milot-Balldren është në procedurë koncesioni dhe për këtë arsye nuk është reflektuar në projektbuxhet. “Gjithashtu, të gjithë segmentet e Korridorit Jonian po ndjekin procedurat e koncesionit”, tha Muçaj.
Zv.ministrja theksoi se përmirësimi i infrastrukturës rrugore është një prioritet ekonomik dhe turistik, pasi lehtësimi i qarkullimit dhe zhvillimi i autostradave do të rrisin fluksin e transportit dhe turizmit në vend.
I pranishëm në komision zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Besjan Kadiu tha se, projektbuxhet i shtetit 2026 parashikon mbështetje financiare për programin e energjisë për vitin 2026 që ndahet në tre drejtime kryesore: industria, burimet natyrore dhe energjia.
“Buxheti 2026 parashikon për programin e industrisë një financim prej 421 milionë lekë, nga të cilat 364 milionë lekë shkojnë për shpenzime korrente dhe 57 milionë lekë për shpenzime kapitale. Ndërsa për programin e burimeve natyrore do të ketë një financim prej 473,2 milionë lekë, me 395 milionë lekë për shpenzime korrente dhe 78 milionë lekë për shpenzime kapitale”, tha ai.


