"Strehim me çmime të arsyeshme me mbështetje nga shteti"

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot krijimin e një strukture të re për çështjen e strehimit, e cila do të ofrojë strehim me çmime të përballueshme për kategori të ndryshme qytetarësh.

Gjatë bashkëbisedimit me banorët e njësisë nr.5 në Tiranë për projektbuxhetin 2026, Rama njoftoi krijimin e Agjencisë të Planifikimit të Njësisë Kombëtare të Planifikimit të Zhvillimit dhe Strehimit.

Sipas tij, do të bashkohet Agjencia e Planifikimit Kombëtar me atë të Strehimit dhe do të krijohet një agjenci tjetër me një qasje krejt të re ndaj çështjes së strehimit.

“Bëhet fjalë për strehim të përballueshëm, jo thjesht strehimin që ofron tregu. Strehim i përballueshëm nuk do të thotë thjesht strehim social”, sqaroi Rama.

Sipas tij, do të krijohet një mundësi strehimi me çmime të arsyeshme dhe me mbështetje nga shteti.

“Ky është një plan për të cilin po ngrihet agjencia dhe besoj se do ta vëmë në rrugë si duhet vit pas viti, falë edhe disa partneriteteve shumë të mira që kemi krijuar me disa vende të ndryshme në Europë”, u shpreh Rama.