PD: Buxheti për Drejtësinë i pamjaftueshëm, problem pagat e policëve të burgjeve
Në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, u prezantua sot nga ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, projektbuxheti për vitin 2026 për Ministrinë e Drejtësisë.
Gjatë mbledhjes në komision, opozita ngriti disa shqetësime që duhet të adresohen nga Ministria e Drejtësisë.
“Është shqetësuese abuzimi me bukën për të burgosurit. Policët e Burgjeve janë në mënyrë dramatike të pakënaqur me rrogat, me pagën e 13 që u premtuat e se keni kaluar kurrë dhe orët shtesë, kurrë nuk i morën. Shërbimi i provës, problem. Vazhdon në të njëjtin nivel, ka nevojë për riformulim. Ndihma juridike falas do të kërkoj verifikimin nga ana juaj pasi ndodh abuzim i madh me ndihmat juridike”, u shpreh deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi.
Deputeti Oerd Bylykbashi tha se rritja 4% e buxhetit për Ministrinë e Drejtësisë krahasuar me një vit më parë, është e vogël dhe nuk i jep mundësinë ministrisë që të rrisë sektorët e saj.
“4% është i pamjaftueshëm është stanjacion”, tha Bylykbashi.
Bylykbashi gjithashtu adresoi problemin me paraburgimin dhe rritjet e numrit të të paraburgosurve.
“Kush janë masat që ne të ulim koston e lartë që vijnë dhe për shkak të zbatimit të masave të sigurisë që vendosen në paraburgim?! Raporti është diku të 60%. Besoj se nuk mjafton ky buxhet”, tha Bylykbashi.
Lamallari theksoi se për sa i përket dimensionit buxhetor “janë akomoduar nga qeveria shqiptare dhe kjo sipas parashikimeve të tyre, pra nëse ndihma juridike parashikon rritje dhe për këtë vit janë 5000 persona, kjo është akorduar”.
I ndalur tek paraburgimet, Lamallari tha se kjo nuk lidhet me aspektin financiar, por me ndryshimet ligjore.
“Kemi vizion sesi zgjidhet një problematikë, nëse flasim për paraburgimet, nuk e shikoj problem parash. Ju thatë 60%, po e trajtojmë problemin nga viti në vit. Nëse e shikojmë si çështje vizioni apo trajtimi përtej parash, do të thoja se është çështje ligjore. Ligjet që kanë kaluar kanë krijuar situata të tilla ku për vepra penale të cilat janë të lehta, në vend të tjera nuk ka arsye që personi të shkoj në paraburgim, kur mund të ndiqet në gjendje të lirë. Pjesë e problemit është dhe qasja ligjore ndaj problemit të caktuar. Ju thoni financiare, une them nuk është financiare”, tha Lamallari.
Ministri theksoi se do të rishikohet edhe Kodi i Procedurës Penale pasi “duhen riparë elementë të cilat thjeshtë i kemi trashëguar nga e shkuara”.
“Duhet të ndryshojë se nuk ka arsye që për vepra të lehta dhe kur nuk ka asnjë rrethanë, pse të ndiqet në masë arresti dhe mund të ndiqet në gjendje të lirë”, tha Lamallari.
Lamallari shtoi se “nëse bëhet kjo zgjidhje ligjore, ne do të vijmë me propozime të tilla të cilat besoj fort se zgjidhin një çështjen madhore të trashëguar prej vitesh dhe kursejmë të ardhura, për këtë problem që ka qenë i bartur prej vitesh. Duhen parë se çfarë mund të ndryshohet në aspektin politik ligjor duke marrë standardet më të mira evropiane”.
Ministri shtoi se “nuk ka sens të kërkojmë trefishin e kërkesave dhe nuk kemi fuqinë absorbuese t’i ezaurojmë brenda 1 viti”.
Për sa i përket sigurisë në burgje, Lamallari tha se “po komunikojmë me parterët si në rritjen e kapaciteteve të mbikëqyrjes së sistemit të burgjeve, ashtu edhe në forcimin e parametrave të sigurisë”.


