PORTRETI I KLIMT THYEN REKORDE/ Vepra e rrallë pritet të shitet mbi 150 milionë dollarë

Një nga portretet më të rëndësishme të piktorit austriakw, Gustav Klimt, “Portreti i Elisabeth Lederer”, do të dalë në ankand javën e ardhshme. Piktura, pritet të arrijë vlerën mbi 150 milionë dollarë. Vepra ka një histori të pasur, e grabitur nga nazistët dhe pothuajse e shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sot, ajo konsiderohet si një nga kryeveprat e fundit të Klimt dhe një simbol i kulturës vjeneze të fillimit të shekullit XX.

Një portret i rrallë i Gustav Klimt, i ruajtur për dekada në shtëpinë e trashëgimtarit të Estée Lauder, Leonard Lauder, pritet të thyejë çdo rekord ankandi.

“Portreti i Elisabeth Lederer”, që do të shitet nga shtëpia e ankandeve Sotheby’s, mund të arrijë vlerën e jashtëzakonshme prej 150 milionë dollarësh.

Kjo pikturë monumentale, afro 1.8 metra e lartë, është realizuar në vitin 1916, vetëm dy vite para vdekjes së Klimt-it. Ajo paraqet vajzën e një prej familjeve më të pasura vjeneze, të veshur me një mantel të frymëzuar nga arti kinez simbol i elegancës dhe pushtetit.

“Ai hante drekë çdo ditë pranë pikturës. Ishte një pjesë intime e jetës së tij. Për të, kjo ishte më shumë se një vepër arti ishte një kujtesë e historisë evropiane”, deklaroi njw historiane arti.

Si shumë nga veprat e Klimt-it, edhe kjo pikturë ka një histori dramatike. Nazistët e sekuestruan koleksionin e familjes Lederer gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe shumë prej pikturave u shkatërruan. Por “Portreti i Elisabeth Lederer” mbijetoi, i shpëtuar nga përjashtimi prej ekspozitave për shkak të origjinës hebraike të familjes.

Pas luftës, vepra iu kthye familjes, derisa në vitet ’80 u ble nga koleksionisti Leonard Lauder, një admirues i pasionuar i artit austriak.

Përveç vlerës artistike, portreti mbart edhe një histori njerëzore të dhimbshme.

Elisabeth Lederer, gruaja e re që Klimt e pikturoi në moshën 20-vjeçare, humbi gjithçka gjatë luftës dhe vdiq e vetmuar në Vjenë në moshën 50 vjeçare.

Në ankandin e javës së ardhshme, vepra pritet të shitet si loti kryesor i koleksionit të Lauder, së bashku me dy peizazhe të tjera të Klimt-it, që mund të arrijnë së bashku mbi 400 milionë dollarë.