“Tinguj Madhështie”, koncerti i dirigjuar nga britaniku James Ross në TKOB
Një koncert simfonik poetik i titulluar “Tinguj Madhështie”, u mbajt mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit duke çelur aktivitetet e Javës Kulturore Britanike në vendin tonë.
Dirigjenti i mirënjohur britanik, dr. James Ross drejtoi Orkestrën Simfonike të TKOB-së, duke krijuar një atmosferë magjike mbushur me tinguj simfonike.
Koncerti i djeshëm bashkoi elegancën e traditës britanike me energjinë artistike shqiptare, duke krijuar një udhëtim muzikor plot emocione, finesë dhe frymëzim.
Gjatë koncertit, që ishte i hapur për publikun, u luajt edhe Suita për Orkestër dhe Harqe e kompozitorit shqiptar, Gjon Simoni nga opera “Mrika” e Prenk Jakovës (1917-49). Suita e Simonit ka katër lëvizje dhe është një thesar i melodive të operës dhe energjisë dramatike të Jakovës.
Gjithashtu, nën dirigjimin e dr. James Ross u interpretuan edhe vepra nga kompozitorë të njohur britanikë dhe shqiptarë si Henry Purcell, Peter Warlock, Gerald Finzi, Endri Sina dhe Sir Edward Elgar.
Aktiviteti erdhi si një festë e artit që ngre lart bashkëpunimin kulturor dhe fuqinë e muzikës për të lidhur botët.
Që nga diplomimi, dr. James Ross ka drejtuar mbi 1500 vepra në 20 vende në të gjithë Evropën Perëndimore dhe Lindore, Amerikën e Veriut, Afrikë dhe Azi, dhe në Westminster Abbey dhe sallat kryesore të koncerteve në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë Royal Festival Hall.
Me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit kjo javë do ta shndërrojë qytetin në një hapësirë të gjallë dialogu, bashkëpunimi dhe krijimtarie, ku tradita britanike dhe energjia shqiptare do të takohen natyrshëm.

