Bozdo: Fuqia blerëse e pensionistëve, gati 20% më e ulët se në 2013-ën
Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, gjatë diskutimeve mbi Aktin Normativ për ndryshimin e buxhetit të vitit 2025 në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, ngriti shqetësime për ecurinë e ekonomisë dhe situatën e pensionistëve.
Bozdo vuri në dukje se të ardhurat e buxhetit janë më të ulëta se plani, me rreth 101 milionë euro më pak nga TVSH-ja dhe 54 milionë euro më pak nga tatimi mbi fitimin, çka sipas tij, tregon se “motori i ekonomisë nuk është aq i shëndetshëm sa raportohet”.
Më tej, ai deklaroi se të ardhurat nga TAP dhe akciza mbajnë ende arkën e shtetit, por kjo nuk mjafton për të adresuar problemet kryesore.
Një tjetër çështje që Bozdo theksoi ishte politika e indeksimit të pensioneve. Ai kritikoi mënyrën aktuale të shpërndarjes së bonuseve vjetore për pensionistët, duke thënë se nuk garanton rritje të qëndrueshme të të ardhurave të tyre.
“Për pensionistët në qytet, indeksimi i këtij viti është vetëm 470 lekë në muaj, ndërkohë për ata në fshat, vetëm 220 lekë. Me rritjen e kostos së jetesës, kjo situatë është e papranueshme. Bonusi nuk zgjidh gjë. Ajo që duam të shikojmë është rritje e qëndrueshme dhe shumë herë më të shpejtë”, deklaroi Bozdo.
Ai gjithashtu u shpreh se që nga viti 2013, ndërsa çmimet janë rritur me 42%, indeksimi i pensioneve është vetëm 23%, gjë që tregon ulje të fuqisë blerëse të pensionistëve në mënyrë dramatike.
“E patolerueshme që fuqia e tyre blerësi të ishte 15-20% më e lartë në 2013-ën”, deklaroi Bozdo.
Bozdo po ashtu theksoi se shpenzimet operative të qeverisë arrijnë në 17 milionë euro, por pjesa më e madhe nuk shkon për pensionistët apo përndjekurit politikë. “Këto shpenzime operative janë para luksi”, deklaroi Bozdo.
