Lamallari pret ambasadorin spanjoll: Vijojmë bashkëpunimin në fushën e drejtësisë
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari priti sot në një takim ambasadorin e Spanjës, Gabriel Cremades Ventura.
Lamallari bën me dije se gjatë takimit diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve si dhe theksuan angazhimin e përbashkët për forcimin e ndërveprimit politik dhe institucional.
“Spanja ka shprehur qartë mbështetjen e saj të palëkundur për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në fushën e drejtësisë”, shkruan Lamallari në një postim në rrjetet sociale.
Ministri theksoi se e “garantova Ambasadorin mbi vijimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë dhe shtetit të së drejtës, shkëmbimin e përvojave, modernizimin dhe dixhitalizimin gjyqësor, ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe vijimin e zbatimit efektiv të Marrëveshjes së Ekstradimit mes dy vendeve tona”.
