Xhixho publikon pamjet: Qytetarët detyrohen të presin në radhë për abone mujore pasi bashkia Kamëz rriti çmimin e biletës së urbanit
Deputetja e PL, Erisa Xhixho ka publikuar në rrjetet sociale pamje të qytetarëve që presin në radhë për abonenë mujore pasi bashkia Kamzë rriti çmim e biletës së transportit publik.
Postimi:
Të detyruar të presin me orë të tëra në radhë, pasi Bashkia Kamëz rriti çmimin e biletës së transportit publik.
Nga 40 lekë që ishte, qytetarët e Kamzës duhet të paguajnë tashmë 50 lekë për biletën e autobusit.
Qindra qytetarë detyrohen të presin në radhë për abone mujore, që u jep atyre akses në një shërbim pa cilësi: mjete pa standarde, orë të tëra në trafik dhe vonesa të përditshme.
Të moshuar që rrinë me orë në radhë, për të kursyer pak nga pensionet e pamjaftueshme; nxënës e studentë që u duhet të lehësojnë sadopak kostot e transportit që duhej ta kishin falas.
Kjo është panorama më e qartë e një qeverisjeje që ka braktisur qytetarin, të cilin e ngarkon me kosto e taksa, por nuk i jep mbrapsht asnjë shërbim.
