“Avokati financohet nga Sorosi”/ Debat dhe tension në gjyqin për tragjedinë e Gërdecit

Shkak është bërë kërkesa e mbrojtësve të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të revokuar vendimin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila pranoi si palë në proces familjen Durda.

Sipas avokatëve të Mediut, avokati i familjes Durda, Dorjan Matlia, është drejtor i qendrës “Respublika”, një organizatë që – sipas tyre – është ngritur dhe financohet nga Fondacioni Soros.

Fatmir Mediu u shpreh gjatë seancës:

“Kjo zyrë është ngritur me fondet e Sorosit, është fakt. Me gjithë respektin për familjarët, në këtë proces nuk mund të ketë dy prokurori.”

Ndërsa Geraldo Durda, djali i një prej viktimave të tragjedisë, iu përgjigj Mediut:

“Ta ka dhënë përgjigjen Gjykata e Strasburgut! Lëre mandatin e deputetit dhe përballu me gjykatën.”

Ndërkohë, Fatmir Mediu ka kërkuar edhe përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja “Gërdeci”, për shkak të sjelljes së saj.

Avokati Dorian Matlia, që përfaqëson palën e viktimave, u shpreh se për të shmangur tensionet ishte dakord që Geraldo Durda të largohej nga salla:

“Meqë kërkuan të dalë nga salla Geraldo Durda, atëherë jemi dakord të largohet, në mënyrë që të mos kemi pengesa.”

Në vijim, Fatmir Mediu reagoi duke thënë:

“Kemi 15 vite që ju dëgjojmë.”

Kjo deklaratë shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Feruzan Durdës, i cili iu kundërpërgjigj Mediut:

“Nuk e financon Soros, se e ka marrë në vitin 2008 çështjen. Mos të thotë kemi 15 vjet që ju dëgjojmë, se jemi ne ata që duhet ta kishim djalin 25 vjeç. Ka ditëlindjen sot.”