VIDEO/ Me pranga në duar në Rinas, ekstradohet njeriu që koordinoi pastrimin e parave të bandës në Durrës

Merr fund arratia e Erind Laskut, i cili bashkëpunoi me shoqëri transporti për të sjellë 3 mln euro nga Italia në Shqipëri.

Erind Lasku pjesë e grupit kriminal të trafikut të drogës së Elvis Doçit, i goditur në prill nga Operacioni "Ura", u ekstradua këtë të enjte nga Milanoja.

Erind Lasku ishte në kërkim me urdhër të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe akuzohet se koordinoi pastrimin e parave të grupi kriminal Elvis Doçit i njohur ndryshe si 'Visi i Pojës'.

Ndaj tij GjKKO, në muajin prill 2025, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Interpol Tirana njofton se: “Vijon bashkëpunimi i ngushtë me partnerët, në kuadër të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Ëanted”.

Ekstradohet nga Milano, shtetasi që koordinoi pastrimin e parave të një grupi kriminal në Durrës, të fituara nga trafikimi i lëndëve narkotike.

Si rezultat i partneritetit shumë të ngushtë të specialistëve të Drejtorisë së Interpolit me ata të Interpol Romës, gjatë kësaj faze të operacionit “The Wanted”, u finalizua procedura e ekstradimit nga Italia, në Shqipëri, të shtetasit Erind Lasku.

Ai kërkohej ndërkombëtarisht, sepse GJKKO-ja, në muajin prill, 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.