Salla: Ndërhyrje në 24 kilometra gjatësi të kanalit ujitës Peqin–Kavajë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, inspektoi punimet në terren në segmentet e Peqinit dhe Rrogozhinës për rehabilitimin e kanalit ujitës Peqin–Kavajë. Salla tha se, ky është një projekt strategjik për bujqësinë në këtë zonë.

Investimi, i cili ka arritur rreth 60% të realizimit, përfshin ndërhyrje në gjithë gjatësinë prej 24 kilometrash të kanalit. Në zonën e Peqinit janë kryer punime me betonim në 1 kilometër, ndërsa pjesa tjetër është rehabilituar plotësisht. Aktualisht po punohet me intensitet për përfundimin e projektit brenda afateve të parashikuara.

Ministri bëri të ditur se, “ky investim do të sigurojë ujitjen e rreth 630 hektarëve tokë bujqësore në zonën e Peqinit dhe 3,500 hektarëve në zonën e Rrogozhinës, duke rritur ndjeshëm efikasitetin e sistemit të ujitjes, rendimentin e kulturave bujqësore dhe qëndrueshmërinë e prodhimit në të gjithë rajonin”.

Salla theksoi se rehabilitimi i kanaleve ujitëse është prioritet për qeverinë, pasi garanton jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës bujqësore, por edhe rritjen e të ardhurave të fermerëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.