Eurodeputeti Fredi Beleri: Në Shqipëri nuk është zgjidhur kthimi i pronës te pronarët

Eurodeputeti Fredi Beleri deklaroi sot se “kur bëhet fjalë për drejtësinë në Shqipëri gjithmonë ka ndërhyrje nga faktorët politikë që në të vërtetë po ridrejtojnë ngjarjet”.

Gjatë fjalës së tij në takimin e 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-Bashkimi Europian, Beleri evidentoi disa nga problematikat me të cilat sipas tij, “përballet sot Shqipëria”.

Së pari, Beleri theksoi se nuk ka një parashikim apo hulumtim që tregon se 95% e shqiptarëve janë për anëtarësim në BE.

Beleri foli po ashtu për të drejtat themelore të pakicave, duke u ndalur te arsimimi në të gjitha nivelet në gjuhën amtare. Sipas tij, “nuk ka një universitet grek në Shqipëri”.

Kthimi i pronave të institucioneve fetare, liria e medies, dhe ndarja administrative janë të tjera çështje të ngritura nga Beleri në këtë takim.

“Ndarja që është bërë në Himarë nuk ka të bëjë fare me përbërjen demografike, religjioze dhe etnike”, tha ai.

Sipas Belerit, “të drejtat e njeriut nuk kanë të bëjnë vetëm me pakicat, por me të gjithë qytetarët shqiptarë”.

“Një prej tyre është e drejta në pronës. Në Shqipëri vetëm 50% e njerëzve e gëzon pronën që u takon. Për sa i përket pakicave kjo përqindje është shumë e ulët. Nuk ka kthim të duhur të pronave te pronarët. Nuk u lejohet prona. Është e papranueshme që në një vend të BE-së të mos ketë kthim të pronës. Ligji i vitit 2022 është hartuar me mbështetjen e BE-së, por nuk po zbatohet”, shtoi ai.