Blushi: Integrimi evropian i Shqipërisë kërkon përkushtim të fortë ndaj sundimit të ligjit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se Reforma në Drejtësi e miratuar nëntë vite më parë me konsensus nga të gjitha palët, rezulton sot në një dështim.

Nga punimet e takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri – Bashkimi Evropian, ku po zhvillohen punimet e Sesionit II, Blushi tha se Indeksi i sundimit të ligjit për vitin 2024 përgatitur nga World Justice Project është tregues i gjendjes reale ku ndodhet sot vendi.

“Nga viti 2015 kur Shqipëria ende nuk e kishte miratuar Reformën në Drejtësi, përkeqësimi rezulton në masën 100%. Konkluzionet konfirmojnë se Shqipëria ka sot korrupsionin më të lartë në rajon dhe në Evropë”, tha ai.

“Shteti i së drejtës është një nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian, të përcaktuar qartë në Nenin 2 të Traktatit, krah respektimit të dinjitetit të njeriut, lirisë, demokracisë, barazisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Për Shqipërinë, që aspiron për t’u bërë anëtare e Unionit, këto parime duhen të jenë udhërrëfyes thelbësor. Në vitin 2015 kemi qenë në vendin e 78-të sa i përket përhapjes së korrupsionit, tani me krijim e SPAK dhe organeve të reja të drejtësisë, Shqipëria renditet në vendin e 105-të në botë, krah diktaturave më të këqija. Akoma më shokuese janë të dhënat për drejtësinë penale dhe atë civile”, pohoi Blushi.

Sipas Blushit, për drejtësinë civile, në vitin 2015 Shqipëria ka qenë në vendin e 55-të, ndërsa tani është në vendin e 99-ë, ndërsa sa i përket drejtësisë penale, ka qenë në vendin e 46-të, tani është në vendin e 82-të.

“Edhe Vietnami komunist njëpartiak është në vendin e 83-të për sundimin e ligjit i renditur 22 vende më mirë se Shqipëria, ndërkohë që shteti më ri në rajonin tonë, Kosova, renditet në vendin e 59-të. Për fat të keq, këto të dhëna përputhen plotësisht me bindjen dhe perceptimin e përgjithshëm të qytetarëve tanë, që nisur nga kjo situatë shumë e rëndë kanë humbur shpresën dhe po vijojnë të largohen nga Shqipëria për ta ndërtuar jashtë të ardhmen e tyre”, vijoi ai.

Blushi u ndal edhe te vrasja pak javë më parë e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja në sallën e gjyqit.

Sipas tij, në një sondazh online, 78% e qytetarëve ishin të mendimit që vrasja u ndikua nga mosfunksionimi i drejtësisë.

“Kjo gjendje shumë e rëndë u krijua për shkak se Reforma në Drejtësi u kap nga Qeveria, dhe u tjetërsua, me rekomandimet dhe mbështetjen e George Soros. Institucionet e reja u ngritën me shkelje flagrante të ligjit. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor u zgjodhën pa transparencë, shpesh me rekorde që sfidonin çdo standard ligjor. Prokurorja e Përgjithshme u zgjodh pa vetting dhe me 69 nga 84 vota në Kuvend, duke shkelur rëndë Kushtetutën dhe vetë Reformën në Drejtësi. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u bllokua për një kohë të gjatë, në dhunim të ligjit dhe Kushtetutës, me qëllim të qartë kapjen nga Qeveria”, tha Blushi.

Sipas tij, “është iluzion të besosh në një drejtësi të pavarur dhe të drejtë në një vend ku nuk ekziston siguria juridike për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët detyrohen të ndërpresin mandatin kushtetues të koleges së tyre”, tha ai.

Kryetari i grupit parlamentar të PL-së, tha se nuk është hartuar asnjë strategji për të zgjidhur kolapsin e sistemit gjyqësor në të gjitha nivelet, ku mungesat në personel janë kritike dhe ku qindra-mijëra dosje kanë mbetur pa u trajtuar që nga Gjykata e Lartë e deri te gjykatat e të gjitha niveleve.

Blushi tha se “institucionet e reja të drejtësisë të krijuara për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar si SPAK kanë dështuar në përmbushjen e objektivave të shumëpritura, sepse u shndërruan në struktura të posaçme persekutimi politik me qëllim goditjen e kundërshtarëve politikë”.

“Mbi 40 milionë euro ka shkuar në këto 9 vite dëmi që Gjykata e Strasburgut ka vendosur për Shqipërinë për shkelje të Konventës Evropiane të të Drejtave të njeriut, zvarritje procesesh, moszbatim vendimesh dhe shkelje të së drejtës së pronës. Kjo faturë pritet të rritet edhe më shumë dhe atë do ta paguajnë po prapë shqiptarët, populli më i vjedhur dhe më i varfër i Evropës, që i drejtohen Strasburgut se nuk gjejnë drejtësi në gjykatat e tyre”, tha Blushi, ndërsa theksoi se integrimi evropian i Shqipërisë kërkon një përkushtim të fortë ndaj sundimit të ligjit dhe garantimit të shtetit të së drejtës.

“Duke mbështetur me vendosmëri të palëkundur ecurinë e procesit të integrimit, më lejoni të theksoj në emër të Partisë së Lirisë, se standardet e Bashkimit Evropian nuk duhet të mbesin në letër, por të plotësohen në mënyrë cilësore, të qëndrueshme dhe t’u shërbejnë së pari, krijimit të standardeve evropiane të jetesës të gjithë qytetarëve shqiptarë”, përfundoi Blushi.