PELESHI NË “TESTIN” E PËLQIMIT/ PD, 5 argumente për shkarkim. PS: Asnjë shkelje si kryeparlamentar

Niko Peleshi mund të mësojë të enjten vetem nivelin e pëlqyeshmërisë mes të vetëve, pasi me qëndrim politik, PS, ka vendosur të rrëzojë kërkesën e demokratëve për ta shkarkuar si kryeparlamentar. Opozita rendit në raport 5 shkelje kryesore, por Mazhoranca ndan qëndrim të kundërt.

Kërkesa e Partisë Demokratike për shkarkimin e Niko Peleshit si kryetar Kuvendi do të vendoset të në seancë plenare të enjten dhe rezultati është i pritshëm dhe i paralajmëruar nga përfaqësuesit e mazhorancës që e kanë bërë të qartë qëndrimin që në nisje të procedurës.

Këshilli i Legjislacionit publikoi raportet e ndara të PS e PD që do t’u prezantohen ligjvënësve.

Në kërkesën e firmosur nga 36 deputetë ku kërkohet shkarkimi i kryeparlamentarit, renditen 5 arsye kryesore, pse kolegët duhet të votojnë që Niko Peleshi të largohet nga posti.

Demokratët i kanë bazuar argumentet tek seancat plenare të 16 dhe 18 shtatorit, ku ndryshua Rregullorja e Kuvendit për të lejuar shtimin e komisioneve parlamentare, dhe mos zhvillimi i debatit parlamentar për programin e qeverisë “Rama 4” që u mbyll me votim direkt, pas debateve në seancë.

“Kryetari i Kuvendit, me veprimet dhe mosveprimet e tij, në këtë periudhë të shkurtër të drejtimit të Kuvendit të Shqipërisë, ka dëshmuar mungesë të plotë të angazhimit për të ushtruar funksionin në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendi, si dhe duke u sjell si një vartës i Kryeministrit, i cili mori “de facto” edhe drejtimin e seancës së datës 18.09.2025, herë duke urdhëruar kush do fliste, herë duke urdhëruar kush deputet do të fliste për procedurë dhe herë duke urdhëruar Kryetarin e Kuvendit për procedurën që duhet të ndiqte”, thotë PD-ja.

Por socialistët ndajnë një qëndrim krejtësisht të kundërt nga demokratët, ndërsa në raport thotë se

Niko Peleshi, jo vetëm që nuk ka shkelur rregullore, por ka vepruar në cdo rast sipas saj.

Përfaqësuesit e mazhorancës madje, thonë se ishin opozitarët ata që bënë të pamundur zhvillimin normale të seancës.

“Përdorimi i fjalëve fyese,  zënia me dhunë e foltores së Kuvendit apo pengimi i marrjes së fjalës nga ana e deputetëve, janë metoda që çojnë pikërisht në bllokimin e punës së Kuvendit dhe sjellin pasoja të rënda për sistemin demokratik, thuhet në raportin e PS, që i kërkon seancës rrëzimin e kërkesës së PD për shkarkimin e Peleshit. Dhe për këtë mjaftojnë vetëm 71 nga 83 votat e PS në Kuvend.