RRËFIMET E 3 AUTORËVE/ Zbardhet krimi në familje, sherri në kuzhinën e lokalit dhe sherri për foton me kalin
Autorët e tre vrasjeve me thikë që tronditën vendin të martën kanë dhënë në polici variantet e tyre për konfliktet që përfunduan në krime
Marjan Kodheli, 25-vjeçari i dyshuar me probleme të shëndetit mendor që vrau të martën të atin me thikën e bukës, tregoi para grupit hetimor motivin po aq tronditës të krimit në Shkallnur të Durrësit.
Referuar dëshmisë, ai tha se sherri nisi teksa babë e bir po konsumonin drekë, dhe gjatë debatit situata u agravua, kur në një moment ai mori thikën dhe e goditi disa herë.
Marjan Kodheli: “Po hanim drekë dhe papritur babai mu hodh me nerva në debat. Nuk më linte të haja i qetë. Kemi pasur konflikte të vazhdueshme që prej se jam kthyer nga emigrimi. Kam jetuar në Francë, ku kam edhe pasaportë franceze. Më pas shkova në Greqi dhe punova atje. Kur u ktheva në shtëpi, isha pa punë dhe tensionet me babanë nisën të shtoheshin. Nuk e di si ndodhi, por në ato momente humba kontrollin, mora thikën dhe e godita.”
Ndërkohë burime thanë se për 25-vjeçarin do të kërkohet ekspertizë e gjendjes mendore, për të përcaktuar dyshimet paraprake se ai vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Detaje të reja janë mësuar edhe për vrasjen me thikë në një lokal në Tiranë, ku sherri mes dy kolegëve përfundoi në krim pas debateve për bullizëm të pretenduar në punë.
Filip Shehu: “Jam ndjerë nën presion gjithë kohës. Debatet me viktimën i kishim për shkak të punës. Teksa po bënim një picë, viktima më tha ‘merr një proshutë’, dhe unë shkova ta merrja atë të hapur dhe aty nisi sherri. Më ofendoi dhe u konfliktuam, aty e qëllova me thikë.”
Autori nuk u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa priti i qetë prangat e policisë. Më pas u sqarua se 41-vjeçari ishte person me precedentë penalë.
Por vetëm pak minuta pasi Tirana u trondit, vëmendja shkoi në Berat, pasi brenda Kalasë një 42-vjeçar u qëllua për vdekje me thikë. Autori, Kristo Mema, 63 vjeç, ka treguar se konflikti nisi pas një paralajmërimi që i bëri viktimës që të mos e prekte kalin e tij, që e përdorte për të shëtitur turistë.
Kristo Mema: “I thashë mos e prek kalin se është i acaruar sot dhe mund të reagojë keq, por ai më shau dhe ofendoi. Humba kontrollin, mora thikën që e mbaja në samarin e kalit dhe e godita në gjaknxehtësi.”
Pas krimit, autori u largua nga Kalaja për të shkuar në banesën e tij. I vetëdijshëm për krimin, ai mori disa ushqime dhe u nis drejt shpellës së Memecit në tentativë për t’u fshehur, por uniformat blu arritën në kohë dhe e neutralizuan.

