Në hijen e një tragjedie: kush po “paguan çmimin” e vr*sjes së gjyqtarit Astrit Kalaja?

Dje, para togave të zeza të Gjykatës së Apelit, dolën përballë drejtësisë Gjon Shkambi dhe punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj.

Ky i fundit akuzohet për “shpërdorim detyre”, pasi më datë 6 tetor, autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja arriti të hynte i armatosur në ambientet e gjykatës, duke lënë pas një viktimë, dy të plagosur dhe një plagë të thellë në sistemin e drejtësisë.

Por pas zhurmës së akuzave, fshihet një realitet i errët që askush nuk dëshiron ta dëgjojë.

Vetë Banush Koxhaj, ashtu si edhe shumë punonjës të tjerë të administratës së gjykatës, flasin, në anonim, për kushte çnjerëzore pune, mungesë mbështetjeje dhe trajtim poshtërues.

Sipas burimeve të brendshme, ditën e ngjarjes tragjike, Koxhaj kishte kërkuar leje për të marrë ndihmë mjekësore, pasi prej mëngjesit ishte me temperaturë 40.

Kërkesa e tij, megjithatë, ishte injoruar. Ai u detyrua të vijonte shërbimin, ndonëse fizikisht i paaftë për detyrë. Dhe kur ndodhi e paimagjinueshmja, fajin ia hodhën atij.

“Ne punojmë si skllevër,” thonë punonjës të administratës së gjykatës.

“Pa të drejta, pa mbështetje, pa kushte minimale njerëzore. Drejtuesit nuk mbajnë përgjegjësi për asgjë, ata nuk kontrollohen as për orarin e punës, ndërsa ne dënohemi për çdo frymëmarrje jashtë rregullores”, thonë ata.

Pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, goditja më e madhe nuk ka qenë vetëm për drejtësinë, por për njerëzit e thjeshtë që e mbajnë atë në këmbë.

“Administrata është shtrënguar në mënyrë skllavërore, e privuar nga çdo e drejtë ligjore dhe morale, ndërsa sistemi kërkon një “kokë turku” për të shfajësuar paaftësinë e vet”, theksojnë në vijim punonjësit e administratës së gjykatës.

Pyetjet ngelen pezull:

A ka të drejtë një punonjës i thjeshtë të kërkojë leje për ndihmë mjekësore apo halle familjare?

A mund të fajësohet ai për një tragjedi që është pasojë e një sistemi të kalbur deri në rrënjë?

Dhe deri kur drejtësia do të kërkojë fajtorët e vet vetëm tek më të dobëtit?

“Një ditë do flasim, do flasim fort po nëse administrata bashkohet dhe flet, themelet e sistemit tundën keq!”, thonë punonjësit e administratës së gjykatës.