Dita Botërore e Poliomielitit, Petrela: Kemi 98% mbulim vaksinal
Shqipëria vazhdon të jetë shembull me 98% mbulim vaksinal kundër poliomielitit, një arritje që tregon forcën e kujdesit, bashkëpunimit prind-mjek dhe besimit te shkenca.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përcolli në rrjetet sociale apelin e Prof. Dr. Raida Petrela, mjeke pediatre infeksioniste e cila thekson se vaksinimi i rregullt sipas kalendarit të përcaktuar është mbrojtja më e sigurt për çdo fëmijë.
“Poliomeliti është një sëmundje e rëndë virale e shkaktuar nga viruse që janë në grupin e interoviruseve, e cila kur ndodh jep paraliza flakside të fëmijëve, që kur ndodhin në të katër anësitë mund të shkaktojnë edhe tetraplegji dhe mund të jenë të parikthyeshme për gjithë jetën”, theksoi Petrela.
Prandaj, vijoi ajo, rëndësia e vaksinimit jo vetëm për poliomielitin, por edhe për të gjithë sëmundjet e tjera është mjaft e rëndësishme.
“Epidemia e fundit e poliomelitit ka qenë në Shqipëri në vitin 1996, ku ka pasur edhe raste të konfirmuara dhe që atëherë nuk kemi pasur raste. Shqipëria që në vitin 2002 është quajtur vend pa poliomielit, me gjithë vendet e tjera të Europës. Kjo i dedikohet një sistemi vaksinimi shumë të mirë dhe mbrojtjes që ka bërë Instituti i Shëndetit Publik nëpërmjet kalendarit tonë të vaksinimit, që duhet të themi që është shumë i mirë”, nënvizoi Petrela.
Poliomeliti ka në kalendarin e vaksinimit 5 doza, tre doza që kryhen në moshën 2, 4 dhe 6 muajsh dhe në moshën 2 vjeç dhe 6 vjeç.
“Mbulesa vaksinale në Shqipëri është shumë e mirë, është 98% në vitin e parë të jetës. Fruthi, shytat, rubeola janë zhdukur me kohë për shkak të këtij vaksinimi dhe ne nuk kemi raste dhe kjo i dedikohet sistemit të mirë të vaksinimit. Është ndryshe një sëmundje natyrale dhe ndryshe një sëmundje që mund ta parandalosh me vaksinë”, theksoi Petrela.
Ajo tha se “nuk kemi më raste, as me fruth, raste sporadike mund të ketë se mund të jetë një komunitet i pavaksinuar, por në përgjithësi epidemitë janë zhdukur pasi kalendari i vaksinave e ka bërë punën e vet”.
Dita Botërore kundër Poliomielitit është vendosur para një dekade për të përkujtuar ditën e lindjes së Jonas Salk, drejtuesi i ekipit që zhvilloi vaksinën kundër poliomielitit. Gjetja e kësaj vaksine dhe përhapja në të gjithë botën e polivirusit oral të zhvilluar nga Albert Sabin, udhëhoqën në krijimin e Iniciativës Globale për Zhdukjen e Poliomielitit në 1988.
