GJKKO lë në burg Juxhin Kokën, akuzohet për tri vepra penale
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të vazhdojë masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për të pandehurin Juxhin Koka.
Sipas njoftimit zyrtar, kërkesa është paraqitur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) më 23 tetor 2025, me objekt verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit dhe nevojën për vazhdimin e saj.
Pas shqyrtimit të çështjes, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, me vendimin nr. 110, datë 24.10.2025, vendosi vijimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”.
Juxhin Koka akuzohet për kryerjen e veprave penale “Kondrabandë për mallrat për të cilat paguhet akcizë, ose me pezullim të plotë apo të pjeshëm nga detyrimet doganore, ose të akcizës”, “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Vjedhje”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.
Ekzekutimi i vendimit i është ngarkuar Prokurorisë së Posaçme dhe shërbimeve të policisë gjyqësore. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda pesë ditëve nga data e komunikimit të tij.
