Historike/ Shkëndija merr fitoren e parë në një kompeticion europian, Drita vijon e pamposhtur në Conference League
Shkëndija ka arritur një fitore historike në ndeshjen e dytë të Conference League përballë skuadrës së Shelbourne brenda në Shkup.
Sfida nisi mjaft mirë për kuqezinjtë, të cilët provuan disa herë që të gjenin golin e avantazh, por miqtë irlandezë arritën të mbroheshin siç duhet, deri në momentin e fundit kur Barret shënoi në portën e tij pas presionit të vazhdueshëm të skuadrës së Beqirit.
Kjo është fitorja e parë e kuqezinjve të Tetovës në arenën europiane, pasi në ndeshjen e parë u mposhtën 0-2 nga Rayo Vallecano.
Sfida e radhës për Shkëndijën do të jetë sërish në Shkup, ku kësaj radhe do të presin skuadrën që eliminoi Dinamon, Jagiellonian më 6 nëntor.
Në ndeshjen tjetër Drita e ka regjistruar barazimin e dytë në po kaq ndeshje në fazën e ligës në Ligën e Konferencës.
Kampionia në fuqi e Kosovës barazoi 1-1 në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj klubit nga Qipro, Omonia.
Vendasit kaluan të parët në epërsi në minutën e 12-të kur Arb Manaj shënoi bukur me kokë pas asistit nga Besnik Krasniqi.
Fundi i pjesës së parë ishte fatal për gjilanasit, që pësuan gol në minutën e parë shtesë.
Ishte Masouras i cili realizoi për 1-1, që në fund ishte edhe epilogu i këtij takimi.
Me këtë barazim, Drita tani ka dy pikë dhe zbret përkohësisht në vendin e 20-të.
Në anën tjetër, Omonia e shijon pikën e parë dhe ngjitet në vendin e 23-të në tabelë.
