Dervishaj: Përfundojnë brenda vitit punimet në stadiumin e Vorës
Në stadiumin e Vorës po punohet me ritme të shpejta për ndërtimin e tribunës së re qendrore, një investim i Federatës Shqiptare të Futbollit, në bashkëpunim me Bashkinë Vorë.
Krahas tribunës, po kryhen edhe ndërhyrje të tjera në infrastrukturën e stadiumit, që përfshijnë ndërtimin e dhomave të zhveshjes për lojtarët, ambienteve për stafet teknike, si edhe hapësira të tjera funksionale, të domosdoshme për garantimin e standardeve bashkëkohore të funksionimit të impiantit, sipas kritereve të licencimit.
Gjithçka është në rrugën e duhur dhe ditën e sotme Zv. Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, dhe Drejtori i Departamentit të Projekteve në FSHF, Kevin Lleshi, zhvilluan një vizitë inspektuese në stadiumin e Vorës, ku panë nga afër ecurinë e punimeve.
Zv. Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, tha se po punohet me ritme të larta për përfundimin e tribunës së stadiumit të Vorës, që pritet të bëhet gati brenda vitit, duke u kthyer në një impiant të kategorisë 3 të UEFA-s, ku Vora do të luajë në shtëpinë e saj.
“Po punohet në të gjitha ambientet në mënyrë që në një kohë shumë të shkurtër të përfundojë tribuna dhe Vora të kthehet të luajë në shtëpinë e vet. Ky stadium që ne, në bashkëpunim me Bashkinë, po investojmë do të kthehet në një stadium të kategorisë 3, për të organizuar edhe ndeshje ndërkombëtare deri në një fazë të caktuar, siç e parashikon manuali i UEFA-s. Punimet po ecin me shpejtësi dhe besoj që brenda këtij viti ekipi i Vorës do të kthehet në shtëpinë e vet”, – tha Zv. Presidenti i FSHF, Arben Dervishaj.
Drejtori i Departamentit të Projekteve në FSHF, Kevin Lleshi, theksoi se ky është një nga investimet e rëndësishme të FSHF-së që do të përmbushë standardet e UEFA-s dhe FIFA-s. Ai përmendi edhe projektet e tjera infrastrukturore që po realizohen në Durrës, Prrenjas, Gjirokastër, Elbasan dhe Tiranë, me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës sportive në vend.
“FSHF nuk ndalet vetëm me këtë projekt, por projektet infrastrukturore vazhdojnë edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë. Dy fusha të reja në qytetin e Durrësit, që po bëhen në bashkëpunim me Bashkinë dhe klubin e Teutës. Gjithashtu, po ndërtohen dy fusha në qytetin e Përrenjasit dhe dy fusha në qytetin e Gjirokastrës. Të gjitha këto janë në hapat e fundit për montimin e tapetit artificial. Njëkohësisht, në ditët në vijim do të fillojë edhe mbjellja e fushës së tretë në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, duke i shtuar edhe një fushë të re qytetit të Tiranës, që do të përdoret për Kombëtaren A dhe Kombëtaret e moshave”, – tha Drejtori i Departamentit të Projekteve në FSHF, Kevin Lleshi.
