Shqipëria e vajzave gati për sfidën ndaj Qipros, Grima: Duam fitoren
Kombëtarja e vajzave zhvilloi sot seancën e fundit stërvitore në prag të sfidës “play-out” kundër Qipros, e vlefshme për qëndrimin në Ligën B të UEFA Nations League.
Skuadra kuqezi zbriti pasditen e sotme në fushën e stadiumit “Antonis Papadopoulos”, ku do të zhvillohet ndeshja e nesërme, në orën 18:00 (CET).
Në prag të kësaj sfide, trajneri Armir Grima ka folur për fshf.org duke treguar gjendjen e skuadrës, mungesat dhe objektivin e qartë të ekipit, që është fitorja.
“Është një stërvitje ambientuese me stadiumin, ku vajzat po njihen me fushën ku do të luajnë nesër. Gjendja është e mirë, përjashto dëmtimin e Fortesa Berishës dhe problemin që kishim me Erjona Emerllahun. Ne jemi besimplotë, kemi dëshirë, vajzat kanë dëshirë dhe entuziazëm dhe mendoj se duhet të dalim faqebardhë për këto dy ndeshje.”
Ai tha se skuadra luan për fitore. “Patjetër që do të luajmë për fitore. Për të dalë faqebardhë na duhet vetëm fitorja”, përfundoi trajneri Grima.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se Erjona Emerllahu nuk do të jetë pjesë e kësaj ndeshjeje për shkak të mospajisjes në kohë me pasaportën shqiptare. Nga ana tjetër, Fortesa Berisha do të mungojë si në sfidën e nesërme, po ashtu edhe në ndeshjen e kthimit, për shkak të një dëmtimi.
