MILAN NË GARË ME DËMTIME/ Allegri shpreson të rikuperojë Nkunku e Loftus-Cheek

Edhe pse Milani nuk luan në kupat evropiane, lista e të dëmtuarve në skuadër mbetet e gjatë. Përpara ndeshjes së rëndësishme kundër Pizës, trajneri Massimiliano Allegri kërkon të shfrytëzojë avantazhin e kalendarit dhe të rikuperojë disa lojtarë kyç.

Në prag të përballjes së së premtes me Pizën, Milani përballet me një situatë të vështirë dëmtimesh që rrezikon të ndikojë në objektivat për kryesimin e kampionatit.

Sipas raportimeve nga “La Gazzetta dello Sport”, si Christopher Nkunku ashtu edhe Ruben Loftus-Cheek po punojnë me programe individuale rikuperimi në qendrën stërvitore të Milanellos.

Trajneri Massimiliano Allegri shpreson të ketë të paktën njërin prej tyre të gatshëm për ndeshjen e radhës.

Për Nkunku-n, i cili mungoi ndaj Fiorentinës për shkak të një dëmtimi në gishtin e këmbës të pësuar gjatë grumbullimit me kombëtaren, shpresat janë më të mëdha.

Sulmuesi francez, i ardhur këtë verë nga Chelsea për 37 milionë euro plus bonuse, ka dhënë shenja pozitive në stërvitje dhe mund të jetë mes të grumbulluarve.

Prania e tij do t’i jepte Allegrit më shumë alternativa sulmuese, duke lejuar një dyshe të mundshme Nkunku–Leao në repartin ofensiv.

Më e paqartë mbetet situata e Loftus-Cheek, i cili vuan një lodhje muskulare. Stafi mjekësor po e monitoron me kujdes dhe do të vendosë nëse anglezi mund të ulet të paktën në stol. Në mungesë të tij, mesfusha pritet të përbëhet nga Fofana, Modric dhe Ricci.

Ndërkohë, mbrojtësi Matteo Gabbia, që ka fituar rol udhëheqës në skuadër, do të përballet me mentorin e tij, Raul Albiol, të cilin e konsideron si figurë frymëzuese nga koha e tij në Villarreal. Një sfidë me domethënie të veçantë për qendërmbrojtësin që dje festoi 26-vjetorin e tij.