Dorëzohet La Liga, Villarreal-Barcelona nuk do luhet në Miami…

Protesta e futbollistëve dhe presioni i ditëve fituan mbi La Liga, që më në fund hoqi dorë nga plani për zhvillimin e sfidës mes Villarreal dhe Barcelonës në Miami.

Liga Spanjole komunikoi zyrtarisht se kjo sfidë nuk do të luhet në tokën amerikane pikërisht në Florida. Relevent, kompania promovuese e kësaj ndeshjeje, e gjendur përballë këtij presioni që arriti kulmin me notën e protestës drejtuar Këshillit Superior Sportiv vendosi të tërhiqet përfundimisht nga kjo ide.

“La Liga shpreh keqardhjen e thellë që ky projekt që do të shërbente për ndërkombëtarizimin e futbollit spanjol nuk do të realizohet - thuhet ndër të tjerat në komunikatën zyrtare të La Liga - zhvillimi i një ndeshjeje jashtë kufijve tanë do të ishte një hap vendimtar drejt zgjerimit global të imazhit të kampionatit tonë duke përforcuar praninë ndërkombëtare të klubeve dhe përfshirjen e futbollistëve dhe markës së futbollit spanjoll në një treg strategjik si SHBA”

Në fund La Liga thekson se falenderon klubet për gatishmërinë e tyre në këtë projekt dhe shtoi se do të vijojë punën për ta çuar futbollin spanjol në çdo cep të botës.