VIDEO/ Xhixho: Industria fason, një nga sektorët më punëdhënës të vendit, është sot në kolaps. E paralajmëruam
Deputetja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho deklaron se Industria fason, një nga sektorët më punëdhënës të vendit, është sot në kolaps.
Deklarata e Zv. Presidentes të Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho
Të dhënat e fundit nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe INSTAT janë një tjetër dëshmi e dështimit të plotë ekonomik të kësaj qeverie.
Industria fason, një nga sektorët më punëdhënës të vendit, është sot në kolaps.
Markat më të njohura ndërkombëtare janë larguar ose kanë kufizuar ndjeshëm prodhimin në Shqipëri.
Në vend që të mbrojë sektorin që siguron jetesën e mbi 70 mijë punëtorëve shqiptarë, qeveria Rama e ka lënë në mëshirë të tregut, pa asnjë strategji, pa mbështetje dhe pa përgjegjësi.
Rënia e euros, rritja e kostove të brendshme dhe politika e papërgjegjshme fiskale kanë rritur kostot e prodhimit, duke detyruar kompanitë të ikin drejt Tunizisë, Egjiptit dhe madje deri në Uzbekistan.
Kompani të huaja që dikur ishin histori suksesi, sot po mbyllin fabrikat e tyre dhe po largohen.
Sipas INSTAT, eksportet e tekstileve dhe këpucëve kanë rënë me 16.8% në vitin 2024, ndërsa që nga fillimi i këtij viti e deri sot, tendenca mbetet negative.
Kjo është fytyra e vërtetë e ekonomisë së Edi Ramës: biznese që ulin qepenat përfundimisht, punëtorë që mbeten pa punë, dhe investitorë që ikin nga pasiguria e krijuar prej qeverisë.
Nuk është aspak rastësi fakti që FMN uli parashikimin e rritjes ekonomike për Shqipërinë në 3.4%, nga 3.8% që ishte pritshmëria në raportin e pranverës.
Nuk është rastësi as raporti i DASH një muaj më parë, sipas të cilit, prania e madhe e të ardhurave të paligjshme nga trafikimi i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni e kanë shtrembëruar konkurrencën në treg. Nuk ka më investime të huaja, sepse nuk siguri juridike. Shqipëria jo vetëm që nuk bind dot investitorë të rinj, por po humbet edhe ata që ka.
Partia e Lirisë e ka paralajmëruar prej kohësh këtë krizë.
Që në nisje të këtij viti, kur u mbyllën 3 mijë vende pune brenda një muaji, i kemi kërkuar qeverisë të ndërhyjë urgjentisht, për të parandaluar thellimin e krizës. Janë rreth 400 mijë shqiptarë që ushqehen përmes këtij biznesi.
Fasonët kanë kërkuar mbështetje, por qeveria është tallur me mijëra sipërmarrës të ndershëm dhe punonjës që nuk kanë me çfarë të mbajnë familjet.
Kësaj kërkese, qeveria iu përgjigj me një pseudogaranci sovrane prej 4 miliardë lekësh, e cila i shërbeu vetëm asaj për propagandë.
Ne kemi kërkuar ndërhyrje për stabilizimin e euros, mbështetje fiskale për eksportuesit, dhe politika që të mbrojnë prodhimin vendas – por Rama dhe ministrat e tij kanë zgjedhur të heshtin. Sepse qeveria ka për qëllim mbështetjen e një grushti njerëzish duke monopolizuar ekonominë dhe rrënuar biznesin e ndershëm.
Në realitet, Shqipëria po kthehet në një vend ku punëtorët mbeten të papunë, investitorët largohen, dhe ekonomia mbijeton vetëm me tendera e klientelizëm.
Partia e Lirisë do të vazhdojë të jetë në krah të punëtorëve, të bizneseve të ndershme dhe të çdo qytetari që sot ndien pasojat e keqqeverisjes.
Ne nuk duhet të lejojmë që Rama dhe qeveria e tij të shkatërrojnë industrinë që për vite të tëra ka qenë shtylla e prodhimit dhe e punësimit në Shqipëri.

