Rama nga Londra: Që të jetë e suksesshme, Kosova duhet të harrojë Serbinë
Kreu i qeverisë Edi Rama ka deklaruar sot nga Londra, se nëse Kosova dëshiron të jetë e sukseshme duhet ta harrojë Serbinë dhe të realizojë të gjitha pikat e dialogut.
Gjatë fjalës së tij në panelin e Chatham House me temë “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”, Rama u shpreh se Kosova nuk duhet ta bëjë çështje kryesore marrëdhënien dypalëshe.
Kryeministri tha nga Londra se Kosova është një shtet i ri demokratik i njohur nga fuqitë e mëdha, e cila duhet të bindë pjesën tjetër për pozicionin e konsoliduar sa i takon vlerave në botën demokratike dhe BE.
Sipas Rames, shteti i Kosovës duhet të realizojë të gjitha pikat e dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe të lë Evropën të merret me Serbinë.
“Nuk shoh çështje territoriale. Kosova është republikë një shtet i ri demokratik i njohur nga fuqitë e mëdha dhe ende jo i njohur nga pesë vende nga BE.
Në këtë drejtim nuk shoh problem. Nga ana tjetër i takon Kosovës që të shtyjë përpara dhe të bindë pjesën tjetër për pozicionin e konsoliduar sa i takon vlerave në botën demokratike dhe BE.
Që të jetë e suksesshme Kosova duhet të harrojë Serbinë dhe të realizojë të gjitha pikat e dialogut.
T’ia lënë topin në fushë Serbinë, të lënë Europën të merret me Serbinë. Dhe jo ta lënë cështjen të shndërrohet në fajësim të tyre”, tha Rama.
