U mor peng nga agjentë të rremë futbolli, portieri senegalez vritet nga rrëmbyesit
Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin senegalez e cila rezultoi fatale për portierin 18-vjeçar, Cheikh Toure në Ganë. Ministria senegaleze e Integrimit Afrikan dhe Punëve të Jashtme, konfirmoi se i riu u mashtrua nga persona të cilët u prezantuan si agjentë futbolli. Ata kontaktuan nënën e tij dhe i kërkuan para.
Nëna nuk pagoi dhe i riu u vra nga rrëmbyesit. Ministria theksoi më tej nevojën për kujdes, duke u bërë thirrje klubeve, akademive, trajnerëve dhe prindërve të tregojnë kujdes të jashtëzakonshëm në lidhje me ofertat e pa verifikuara jashtë vendit.
Autoritetet si në Ganë ashtu edhe në Senegal po punojnë së bashku për të hetuar incidentin dhe për t’i nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë. Ky incident tragjik nxjerr në pah rreziqet e trafikimit të të rinjve dhe skemave mashtruese të rekrutimit që synojnë lojtarët e rinj afrikanë.
