“Pa ndihmë, pa shpresë”/ PL: Familjet me fëmijë po mbajnë gjithë barrën e krizës ekonomike

Zv. Sekretarja e Përgjithshme Brunilda Haxhiu ka reaguar për situatën ekonomike që po përballin familjet e reja në vend, duke akuzuar qeverinë se nuk ka marrë asnjë masë reale për t’i ndihmuar përballë rritjes së kostos së jetesës dhe mungesës së politikave sociale mbështetëse.

Deklaratë e Zv. Sekretares së Përgjithshme, Znj. Brunilda Haxhiu:

Familjet e reja në Shqipëri po përballen me një kosto jetese gjithnjë e më të papërballueshme, ndërsa mungesa e politikave sociale i ka lënë ato të pambrojtura përballë krizës ekonomike.

Të dhënat e INSTAt tregojnë se familjet me fëmijë shpenzojnë mesatarisht deri në 110 milek, krahasuar me 56 milek që shpenzon një individ i vetëm. Kjo tregon që barrën më të rëndë të inflacionit e mbajnë prindërit e rinj, të cilët përballen me kosto të larta për ushqim, arsim, energji dhe transport, pa asnjë lehtësim realnga shteti, ndërkohë që vendet e BE-së dhe rajonit, mbështesin familjet e reja përmes subvencioneve dhe ndihmave ekonomike për fëmiljët, në Shqipëri qeveria e ka lënë familjen shqiptare pa siguri, pa mbështetje dhe pa shpresë.

Familjet me fëmijë mbajnë barrën më të rëndë të krizës ekonomike, ndërsa qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë reale për të lehtësuar situatën.

Rritja e çmimeve të ushqimeve, energjisë dhe qirave, e kombinuar me pagat e ulta dhe mungesën e ndihmës financiare, ka krijuar një realitet ku shumë familje shqiptare përballen me pasiguri ekonomike dhe sociale.

Në vend që të ketë politika për uljen e TVSH-së së produkteve të ushqimeve bazë, për garantimin e arsimit publik cilësor dhe të sigurt, shërbimeve shëndetësore apo mbështetjeve financiare për lindjet e reja, qeveria ka zgjedhur ti lërë familjet e reja në mëshirë të fatit.