Donald Trump: Së shpejti do të kemi zgjerim të Marrëveshjeve të Abrahamit, shpresoj që Arabia Saudite t’i bashkohet

Donald Trump deklaroi se pret që së shpejti të ketë një zgjerim të Marrëveshjeve të Abrahamit dhe shprehu shpresën që Arabia Saudite do t’i bashkohet kësaj marrëveshjeje që ka normalizuar marrëdhëniet diplomatike mes Izraelit dhe disa vendeve arabe.

“Shpresoj ta shoh Arabinë Saudite të përfshihet, dhe shpresoj që edhe të tjerët të ndjekin. Mendoj se kur Arabia Saudite të përfshihet, të gjithë do të përfshihen,” u shpreh Trump në një intervistë të transmetuar sot nga rrjeti Fox Business Network.

Ai theksoi se ka zhvilluar “disa bisedime shumë të mira”, madje edhe të mërkurën, me vende që kanë shprehur gatishmërinë për t’iu bashkuar marrëveshjeve. “Besoj se të gjitha do të përfshihen shumë shpejt,” tha Trump.

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni nënshkruan marrëveshjet në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke thyer një tabu të gjatë si vendet e para arabe që njohën Izraelin pas një çerek shekulli. Më pas u bashkuan edhe Maroku dhe Sudani.

Trump, i cili ka ftuar udhëheqës të vendeve myslimane dhe evropiane në Egjipt për të diskutuar të hënën mbi të ardhmen e Rripit të Gazës, ka paraqitur planin e tij për përfundimin e luftës në Gaza si një katalizator për një marrëveshje paqeje më të gjerë rajonale.

Ai tha se vende të tjera do t’i bashkohen nismës së Marrëveshjeve të Abrahamit, madje hodhi idenë e një marrëveshjeje paqeje mes armiqve të përbetuar në Lindjen e Mesme, Iranit dhe Izraelit, duke deklaruar para parlamentit izraelit (Knesset) se beson se Irani dëshiron marrëveshje: “A nuk do të ishte e mrekullueshme?”.