TRUMP-PUTIN DO TAKOHEN NË BUDAPEST! Orban: Jemi i vetmi vend që mund ta presim këtë zhvillim
Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka njoftuar se Budapesti do të presë një takim mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, ku do të diskutohet për një zgjidhje të mundshme të luftës në Ukrainë. Takimi, ende pa një datë zyrtare, shihet nga Orbán si sukses diplomatik personal.
Budapesti do të jetë mikpritës i një takimi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, ku pritet të diskutohet mundësia e një zgjidhjeje përfundimtare për luftën në Ukrainë, lajmëroi Kryeministri hungarez Viktor Orbán
Orbán, një prej liderëve në Bashkimin Evropian me marrëdhënie të mira me Rusinë dhe njëherëësh aleat i afërt i Trump, thotë se Budapesti është sot i vetmi vend në Evropë ku mund të mbahet një takim i tillë.
Takimi, i cili ende nuk ka një datë të saktë, pritet të zhvillohet brenda dy javësh.
Orbán e ka quajtur organizimin e këtij takimi një sukses diplomatik personal, ndërsa e paraqet veten si nismëtar i një përpjekjeje globale për t’i dhënë fund luftës.
Që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë në shkurt 2022, Hungaria ka refuzuar të dërgojë armë apo të lejojë transportin e tyre përmes territorit të saj drejt Ukrainës.
Orbán ka kundërshtuar vazhdimisht sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe ka bllokuar financimet për Ukrainën, duke minuar unitetin e bllokut evropian.
Zgjedhja e Budapestit për këtë takim ka edhe një domethënie historike duke marë parasysh faktin se në të njëjtin qytet, në vitin 1994, SHBA, Britania dhe Rusia i garantuan Ukrainës sovranitetin në kuadër të Memorandumit të Budapestit, në këmbim të dorëzimit të arsenalit të saj bërthamor.
Sot, për shumë ukrainas, ky memorandum përfaqëson premtime të thyera pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në 2014 dhe agresionit të plotë në 2022.
Ndërkohë që Hungaria përgatitet për zgjedhjet e prillit 2026, Orbán, që ka udhëhequr vendin për më shumë se 15 vjet, po kërkon të përforcojë pozitën e tij si një figurë me ndikim në politikën globale.
Në një Europë të përçarë nga lufta në Ukrainë dhe tensionet me Rusinë, Orbán po pozicionon Hungarinë si një ndërmjetës të mundshëm, ndërsa kritikët e akuzojnë se po i shërben interesave të Kremlinit dhe minon përpjekjet për unitet dhe drejtësi ndërkombëtare.

