Danimarka rrit ndjeshëm investimet në teknologjinë e mbrojtjes për Arktikun dhe Atlantikun e Veriut
Danimarka ka nisur një program ambicioz për forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse në Arktik dhe Atlantikun e Veriut, me synimin për të “ruajtur paqen dhe stabilitetin” në rajon. Sipas Euronews Next, qeveria daneze ka nënshkruar një marrëveshje prej 27.4 miliardë koronash daneze (rreth 3.67 miliardë euro) me territorët e saj vetëqeverisëse, Ishujt Faroe dhe Groenlandën, për të financuar iniciativa që do të zgjasin deri në vitin 2033.
Ky plan vjen pas një investimi të mëparshëm prej 14.6 miliardë koronash (1.96 miliardë euro), duke reflektuar rritjen e ndjeshme të fokusit strategjik të Danimarkës në teknologjinë e mbrojtjes. Lëvizja ndodh në një kohë tensionesh të rritura politike dhe ushtarake, përfshirë interesin e shtuar të administratës Trump për të zgjeruar ndikimin amerikan në Groenlandë dhe incidentet e fundit me dronë të paautorizuar në hapësirën ajrore daneze, të cilat autoritetet i cilësuan si “sulme hibride”.
Investimet përfshijnë bashkëpunimin me aleatët e NATO-s për krijimin e “stacioneve benzine në ajër”, që do të lejojnë avionët luftarakë F-35 të furnizohen gjatë fluturimit, si dhe ngritjen e një selie të re të operacioneve speciale të NATO-s në rajon. Përveç kësaj, Danimarka do të blejë dronë të rinj për mbikëqyrje ajrore, do të përfshijë akullthyes për misionet në Arktik dhe do të zgjerojë infrastrukturën e saj të komunikimit me kabllo të reja nëndetëse për të reduktuar rrezikun nga sabotimet.
Në kuadër të marrëveshjeve të reja, pritet ndërtimi i një kablloje nënujor midis Danimarkës dhe Groenlandës, si dhe lidhja e saj me rrjetin telekomunikues të Ishujve Faroe. Sipas ministrisë daneze të mbrojtjes, këto nisma do të realizohen “me respekt për komunitetet lokale” dhe me bashkëpunim të operatorëve me përvojë në navigimin arktik.
Ndërkohë, edhe vende të tjera evropiane kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e tyre të mbrojtjes. Franca ka njoftuar 6.5 miliardë euro shtesë në dy vitet e ardhshme, Mbretëria e Bashkuar ka ndarë 250 milionë paund për zhvillimin e industrisë ushtarake vendase, ndërsa Spanja ka miratuar kredi prej 6.89 miliardë eurosh për modernizimin e ushtrisë.
