“LIGJ PËR SKLLAVËRI MODERNE”/ Greqia miraton ditën e punës 13 orëshe, sindikatat: Kthim në Mesjetë
Në Greqi ka shpërthyer debat i ashpër pas miratimit të projektligjit që lejon deri në 13 orë pune në ditë, në kushte të caktuara. Qeveria thotë se ligji synon fleksibilitet dhe rritje të të ardhurave, por sindikatat e quajnë “skllavëri të paguar”. Opozita paralajmëron se masa do të dëmtojë punëtorët dhe do të thellojë pabarazitë sociale.
Parlamenti grek ka miratuar një reformë të re të tregut të punës që lejon punonjësit e sektorit privat të punojnë deri në 13 orë në ditë, për jo më shumë se 37 ditë në vit, me pagesë shtesë 40 për qind.
Qeveria konservatore e Nea Dimokratias e quan reformën “një hap drejt punës fleksibile dhe të drejtë për të gjithë”.
Por sindikatat e vendit janë në protestë.
Ato paralajmërojnë se ligji do të shkatërrojë ekuilibrin mes jetës profesionale dhe asaj personale, duke rrezikuar shëndetin e punëtorëve.
Përfaqësuesit e Konfederatës së Përgjithshme të Punëtorëve Grekë thonë se “kjo nuk është reformë, por legalizim i skllavërisë moderne”.
Opozita gjithashtu ka dalë kundër nismës. Kreu socialist i PASOK-ut, Nikos Androulakis, tha se qeveria po shkatërron të drejtat e punëtorëve, ndërsa presidenti i Syriza-s, Sokratis Famellos, theksoi se “grekët punojnë më shumë se mesatarja evropiane, por paguhen më pak”.
Ndërkohë, në rrugët e Athinës dhe Selanikut janë zhvilluar greva të përgjithshme dhe protesta masive me pankarta që akuzojnë qeverinë për “rikthim në Mesjetë”.
Ministri i Punës, Niki Kerameos, i hodhi poshtë akuzat duke thënë se asgjë nuk ndryshon për ditën normale të punës dhe se zgjerimi në 13 orë është i kufizuar dhe vullnetar. “Ka punëtorë që duan të punojnë më shumë dhe do të paguhen më shumë”, tha ai në Parlament.
Megjithatë, sindikatat paralajmërojnë se në realitet, shumë punonjës nuk do të kenë mundësi të thonë “jo”, për shkak të presionit ekonomik dhe mungesës së fuqisë përballë punëdhënësve.

