Protestë në Tiranë, Arifaj: Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë ka degraduar, është kthyer në një përndjekje politike

Sot, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, do të zhvillohet një protestë mbarëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Hagë.

Ardian Arifaj, nga radhët e PDK-së teksa u shpreh se nuk do të jetë në Tiranë pasditen e sotme, theksoi se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së që mbahen prej 5 vitesh të izoluar në Hagë ka degraduar.

“Për shkak të angazhimeve që kam këtu me punë e kam të pamundur të vi në Tiranë, por natyrisht që me zemër do të jem atje.

Kjo protestë është e mirëpritur, pasi kjo e kthen edhe njëherë vëmendjen jo vetëm për Kosovën por për gjithë shqiptarët tek një proces që ka nisur në emër të drejtësisë, por që tashmë ka devijuar dhe mund të themi lirisht që është kthyer në një përndjekje politike jo vetëm të liderëve të UÇK-së, por edhe të vetë UÇK-së dhe aspiratës së kosovarëve për liri, drejtësi dhe barazi.

Ndaj është e rëndësishme mbajtja e kësaj proteste.

Ne jemi shumë koshientë tashmë që ky proces në Hagë ka degraduar dhe është e rëndësishme që kjo gjykatë të kthehet në identitetin e saj dhe të bëjë drejtësi, dhe të bëjë një proces të drejtë e të bazuar në fakte e prova.

Dhe një protestë e tillë e arrin ta japë këtë mesazh, jo vetëm për Gjykatën, por edhe tek ato vende që ishin në mbështetje të ngritjes së dhomave të specializuara”, u shpreh ndër të tjera Ardian Arifaj.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ARDIAN ARIFAJN