DYSHIMET! “Gabimi” i autokolonës së FSK-së në veri, ish-ushtaraku: Ushtarët nuk mund të bëjnë gabime

Ish-ushtaraku Hysen Gecaj ka hedhur dyshime mbi raportimet se një autokolonë e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka hyrë gabimisht në pjesën veriore të Mitrovicës. Ai shprehet i habitur, duke theksuar se trupat ushtarake planifikojnë me përpikëri çdo lëvizje dhe nuk lënë hapësirë për gabime. Sipas tij, një devijim i tillë mund të ndodhë vetëm nëse është urdhëruar ose si pasojë e papërgjegjësisë së ndonjë eprori.

Veprimet e autokolonës së Forcës së Sigurisë së Kosovës, që hynë gabimisht në pjesën veriore të Mitrovicës të enjten, kanë ngritur reagime dhe habi në opinion publik.

Ish-ushtaraku Hysen Gecaj, në një intervistë për ekonomia online, shprehet i habitur, duke theksuar se trupat ushtarake planifikojnë me përpikëri çdo lëvizje dhe nuk lënë hapësirë për gabime.

Ngjarja është cilësuar si “gabim” nga vet Forca e Sigurisë së Kosovës, por Gecaj thotë se diçka e tillë është e vështirë të ndodhë.

Sipas tij, një situatë e tillë mund të vijë vetëm si pasojë e ndonjë urdhri të veçantë ose papërgjegjësie të eprorëve.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se mirëpret respektimin nga autoritetet e Kosovës të marrëveshjes sa i përket dislokimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të vendit.

Ky qëndrim i KFOR-it vjen pasi më 16 tetor, për disa minuta, disa makina të FSK-së kishin qëndruar në Mitrovicë të Veriut.

FSK-ja dhe Policia e Kosovës thanë se trupat e FSK-së ngatërruan rrugën. KFOR-i tha se i pranon deklaratat e bëra nga autoritetet se njësiti i FSK-së gabimisht hyri në Mitrovicë të Veriut dhe shpejt u largua që aty.