Mes sherrit dhe debateve/ Shtyhet ngritja e komisioneve për reformën Zgjedhore dhe Territoriale

Ngritja e komisioneve të posaçëm për reformën zgjedhore dhe atë territoriale u shty në Kuvend për shkak të përjashtimit nga seanca e kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili është një nga propozuesit e dy amendamenteve që kërkojnë ndryshime në përbërjen e komisioneve.

Në situatën e krijuar, Taulant Balla tha PS si shenje shenjë vullneti për të çuar përpara ngritjen e këtyre komisioneve me konsensus do të presë seancën e radhës për të dëgjuar propozimet e Bardhit, para së të vendosë me votë.

Komisioni për reformën zgjedhore, sipas propozimit  të socialistëve do të bashkëdrejtohet nga mazhoranca e opozita e cila po ashtu do të ketë të drejtën e vetos.

Kryetari i Grupit parlamentar të PD në amendament kërkon që edhe numri i  anëtarëve të jetë i barabartë, pasi Partia Socialiste synon që pjesë e opozitës në Komisionin për Reformën Zgjedhore të jetë edhe PSD e Tom Doshit, që sipas opozitës është aleat i socialistëve.

Përfaqësim të barabartë, opozita kërkon edhe në Komisionin për reformën Territoriale, për të garantuar një proces të balancuar dhe gjithëpërfshirës, siç thuhet në amendamentin bardhi.

Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së u përjashtua nga seanca pas debateve me kryeparlamentarin Peleshi për pyetjet mbi raportin e komisionerit për Mbrojtjen kundër Diskriminimit

Seanca e radhës e kuvendit mund të jetë vendimtare për ngritjen e komisioneve për reformën Zgjedhore dhe për reformën Territoriale, ndërsa partitë politike morën kohë shtesë për të arritur dakordësinë e kërkuar për ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe numrit të bashkive.