Gjekmarkaj: Kuvendi nuk funksionon, doni të merrni peng opozitën! I fituat zgjedhjet me farsë, duke arrestuar dhe liderin e opozitës
Nënkryetari i parlamentit, deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj, mori sot fjalën në Parlament gjatë debatit për rendin e ditës, duke shpjeguar situatën ligjzbatuese, kaosin në Kuvend të shkaktuar nga mazhoranca he përpjekjet e PS për të marrë peng opozitën.
Deputeti i PD tha se e vërteta do triumfonte dhe opozitës nuk mund t’i mbyllet goja. Gjekmarkaj nënvizoi se edhe zgjedhjet e 11 majit, mazhoranca i fitoi me farsë elektorale dhe duke arrestuar liderin e saj, Sali Berisha.
“Kuvend që nuk funksionon dhe nuk punon. Një Kuvend ku është hequr e drejta e fjalës, s’ka interpelanca, pyetje e përgjigje, por arrogance, indiferencë. Ju miratuat një qeveri e program, që ishte hartim kryekrejt, sepse ende nuk keni zbatuar 30% të programit të qeverisë së kaluar. Debatit i keni shpallur luftë, të vërtetën armike dhe opozitën doni ta merrni peng. Jeni prindërit që i keni mohuar të ardhmen fëmijëve. Nuk e harrojmë se si i fituat zgjedhjet, me farsë elektorale dhe me arrestimin e liderit të opozitës, Sali Berisha”, tha ligjvënësi demokrat mes të tjerash në fjalën e tij.
Por sipas tij, beteja e opozitës do të vijojë, teksa qeveria nuk po bën një Shqipëri Evropiane, por një Arnautistan. Gjekmarkaj foli edhe për çështjen e minatorëve të Spaçit që protestojnë për statusin si dhe gjendjen infrastrukturore dhe sociale në Lezhë, ku është edhe deputet i qarkut i zgjedhur.
“Të jeni të bindur se e vërteta s’mund të merret zvarrë. Minatorët e Spaçit i trajtuar si kriminelë, nuk i jepni statusin që u takon, kurse kriminelët i trajtoni si akademikë. Zonat e Lezhës i keni lënë në varfëri dhe pa rrugë. Kjo nuk është Shqipëria Evropiane, por një Arnautistan”, përfundoi Gjekmarkaj, duke nënvizuar edhe faktin se kjo mazhorancë është e destinuar të dështojë.
