Tensionet në Kuvend, mazhoranca kalon direkt në votim dhe kalon me 73 vota projektligjin për menaxhimin e mbetjeve
Rinisja e Kuvendit pas tensioneve në sallë, nuk solli asgjë të re përveç kalimit direkt në procedurën e votimit nga ana e kryetarit Niko Peleshi.
Ky vendim u mor pasi deputetët e opozitës vijuan të debatonin dhe ndërhynin, teksa më herët deputeti Gazment Bardhi nuk pranoi ë linte sallën pas përjashtimit.
Ai vijoi të qëndronte në sallë edhe pas rinisjes.
Në këto kushte kreu i grupit të PS i kërkoi Peleshit që të kalonte në procedurën e votimit direkt dhe të mbyllej seanca.
Sipas rendit të ditës dhe pikave përkatëse, me shumicën e votave të mazhorancës, kryesisht 73 vota, kaluan të gjitha pikat e rendit të ditës, si raporti i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi ashtu edhe ai për Institutin e Krimeve të Komunizmit.
Me shumicë votash kaloi edhe projektligji për menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve.
Po edhe votimi pati tensionet e tij, teksa Bardhi pas çdo leximi për votim me karton të Peleshit, ndërhynte.
Në një moment kryeparlamentari gjeti taktikë të re, ku pas çdo fjale “Miratohet”, i kujtonte deputetit të PD: “Dil jashtë!”.
Ligji për menaxhimin e mbetjeve kaloi në tërësi me 73 vota të mazhorancës.
