Romelu dhe Jordan Lukaku në konflikt me fisin për varrimin e të atit: Na penguan ta çonim trupin në Belgjikë
Një situatë e dhimbshme familjare ka prekur vëllezërit Romelu dhe Jordan Lukaku, të cilët më shumë se dy javë pas vdekjes së babait të tyre, Roger Lukaku, nuk kanë mundur ende ta përcjellin atë për në banesën e fundit ashtu siç kishin dëshiruar.
Sipas asaj që ka bërë të ditur vetë Romelu përmes një postimi në Instagram, mosmarrëveshjet mes familjarëve kanë penguar që ceremonia e varrimit të zhvillohej në Belgjikë, ashtu siç kishin planifikuar ai dhe vëllai i tij.
Trupi i të ndjerit ndodhet në Kinshasa (Kongo), ku disa të afërm kanë marrë vendimin që funerali të mbahet atje, pavarësisht kundërshtimit të djemve.
Në mesazhin e tij publik, ‘ylli’ i Belgjikës dhe i Napolit ka shkruar:
“Siç ndoshta e dini, kishim planifikuar që funerali të mbahej këtë të premte, por për shkak të disa vendimeve të marra në Kinshasa, ceremonia do të zhvillohet atje.
Babai ynë vdiq më 28 shtator dhe ne, si vëllezër, bëmë gjithçka për ta sjellë trupin në Europë, por u ndjemë të shantazhuar nga disa persona.
Po të ishte babai këtu, nuk do ta pranonte kurrë këtë. Na dhemb zemra që nuk mund ta përcjellim me dinjitet në pushimin e tij të fundit.
Disa njerëz fatkeqësisht kanë dashur ta sabotojnë këtë moment. Tani e kuptojmë pse babai na ka mbajtur larg disa të afërmve. Zoti bekoftë shpirtin tënd, babë.
Të duam shumë. Faleminderit të gjithëve për mesazhet, i vlerësojmë me zemër.”
Roger Lukaku, ish-futbollist dhe baba i dy lojtarëve të njohur të përfaqësueses belge, ndërroi jetë më 28 shtator 2025.
Përveç dhimbjes për humbjen, familja Lukaku po përballet tani edhe me një konflikt të ndjeshëm brenda farefisit, që ka penguar zhvillimin e një ceremonie të qetë në vendin ku babai i tyre kishte jetuar për vite me radhë.
