Ndeshje të mërzitshme dhe të pabalancuara, UEFA mendon për një format të ri për kualifikueset në Botërorë dhe Evropianë

Për të shmangur ndeshjet e mërzitshme dhe tepër të pabarabarta mes kundërshtarëve me nivele të ndryshme, UEFA do të ishte gati të ndryshojë sistemin e kualifikimeve për Kampionatin Evropian dhe për Kupën e Botës, me synimin për të ofruar më shumë përballje mes kombëtareve “të mëdha”.

Sipas asaj që shkruan L’Équipe, UEFA po e diskuton këtë çështje prej kohësh dhe po mendon për një model të ngjashëm me atë që përdoret në Ligën e Kampionëve.

Presidenti Aleksander Čeferin kishte përmendur tashmë në ‘Football Summit’ të Lisbonës mundësinë e një formati të ri, më modern.

Ndër opsionet që po shqyrtohen është përdorimi i Nations League si rrugë kualifikimi, ose përshtatja i një sistemi të ngjashëm me Ligën e Kampionëve, me një kampionat unik me 54 skuadra ose me dy grupe prej 27 skuadrash secili.

Në këtë mënyrë do të kishte më shumë përballje mes kombëtareve të mëdha, pa ndikuar megjithatë në mundësitë e atyre më të vogla.

Megjithatë, formati i ri mund të hyjë në fuqi vetëm pas vitit 2028, kur të skadojnë të gjitha kontratat aktuale tregtare dhe televizive.

Ky format i ri, në formë kampionati dhe sipas modelit të Ligës së Kampionëve, do t’u sillte gjithashtu përfitime ekonomike federatave, pikërisht falë marrëveshjeve më të mira televizive dhe ndeshjeve më tërheqëse e spektakolare.