Kyrgios shpërthen sërish: Sinner është i mbrojtur, drejtuesit e ATP-së janë italianë
Nick Kyrgios nuk ndalet me kritikat ndaj Jannik Sinner.
Tenisti australian ka sulmuar sërish numrin një të botës, duke e akuzuar këtë herë se është i “mbrojtur” nga drejtuesit e ATP-së, për shkak se shumë prej tyre janë italianë.
Në një intervistë për podcastin ‘Unscripted by Josh Mansour’, Kyrgios është shprehur me tone të ashpra për rivalin e tij dhe për institucionet e tenisit:
“Marrëdhënia ime me Sinner është e tensionuar. Pas skandalit që e përfshiu, nuk shkoj mirë me disa njerëz.
Ishte numri një i botës, një lojtar i jashtëzakonshëm, që do të udhëheqë këtë sport për 10–15 vitet e ardhshme bashkë me Alcaraz. Por e kanë mbrojtur qartë.
Pastaj, CEO-ja dhe njerëzit kryesorë të ATP-së janë italianë. Gjithë kjo histori për mua është një marrëzi e madhe.”
Kyrgios i referohet çështjes së Clostebol-it, substancë për të cilën Sinner u pezullua për tre muaj më herët në vit, por që më pas e kaloi me një ndëshkim të lehtë, gjë që shkaktoi shumë debate në botën e tenisit.
Megjithatë, pas kritikave, australiani lë hapësirë edhe për fjalë vlerësimi ndaj tenistit nga Alto Adige:
“Shpresoj që Sinner të ketë mësuar diçka dhe të vazhdojë në këtë rrugë, sepse do të bëhet një nga më të mirët në histori. Ia them edhe në sy: nëse ka qenë aksident, në rregull.
Por nëse jo, do t’i thosha: ‘Vëlla, ti nuk ke nevojë për këto gjëra’. Kur luajtëm kundër, mendova: ‘Ky djalë është i jashtëzakonshëm’.
Ai është mjaft i fortë për t’ia dalë vetëm me aftësitë e tij.”
Deklaratat e Kyrgios kanë ndezur përsëri debatin rreth trajtimit të Sinner nga ATP, ndërsa vetë italiani ka preferuar të mos i komentojë akuzat.
