THYHET SERBIA/ Uvil Zajmi nuk i fsheh emocionet: Nuk e kisha parë ndonjëherë Kombëtaren në të tillë nivel
Festë deri në agim në mbarë vendin pas fitores së madhe të kombëtares kuqezi ndaj Serbisë në “Gradski stadion Dubočica” të Leskovacit, në ndeshjen e vlefshme për Grupin K të kualifikueseve të Kupës së Botës.
Kthimi i kuqezinjve në atdhe është shoqëruar me entuziazëm të madh: me këngë, valle dhe brohoritje në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit. Kombëtarja mbërriti rreth orës 03:00 të mëngjesit, ku u prit nga dhjetëra tifozë të të gjitha moshave që festuan së bashku këtë sukses historik.
Fitorja e Kombëtares 0-1 në Serbi është kthyer në një ‘festë kombëtare’. Goli i Manajt i dha tri pikë tanëve në garën për në Botërorin 2026, duke lënë pas Serbinë.
Pas ndeshjes mijëra tifozë kanë dalë në rrugë dhe kanë festuar me ngjyrat kuqezi.
E gjithë kjo atmosferë është parketuar me emocione edhe nga gazetari dhe analisti Uvil Zajmi.
Në një intervistë për “Ora Neës”, ai u shpreh se që prej vitit 1965 që ai ndjek kombëtaren shqiptare, emocionet e mbrëmshme nuk i ka përjetuar asnjëherë më parë.
“Unë u bë që në vitin 1965 që e ndjek kombëtaren dhe kurrë-kurrë nuk më kanë dhënë emocione të kësaj natyre.
Minuta dhe sekonda që nuk kalonin dhe jo vetëm unë, por i gjithë opinioni kemi parë një skuadër që shumë rrallë që gjendet në të tilla parametra.
Një skuadër që funksiononte në çdo sekondë e në çdo moment.
Një ndeshje e fituar jo vetëm në fushën e lojës, por një fitore e marrë me përgatitje dhe me mendim dhe nuk kishte aspak një fitore e rastësishme”, u shpreh ndër të tjera analisti Uvil Zajmi.
Çfarë do të thotë fitorja ndaj Serbisë?
Fitorja ne Serbi i jep mundësi Shqipërisë të jetë një hap më afër fazës “play off”.
Shqipëria renditet e dyta në grupin K të eliminatoreve të Botërorit 2026 me 11 pikë pas 6 ndeshjeve, ndërsa Serbia renditet e treta me 7 pikë pas 5 ndeshjeve.
Grupi kryesohet nga Anglia me 15 pikë pas 5 ndeshjeve. Ekipi i renditur i dyti në grup shkon në “play off”-in për Botërorin 2026.
Fitorja në këtë ndeshje shënon një hap të madh drejt kualifikimit për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA-Kanada dhe Meksikë.


