Tragjedia në Santorini/ Arrestohet babai i 6-vjeçarit që u mbyt në pishinë, menaxheri i hotelit dhe pishinës

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e së shtunës zonën turistike të Kamarit, në Santorini, ku një fëmijë 6-vjeçar humbi jetën tragjikisht në pishinën e një hoteli.

Policia greke ka arrestuar tre persona në lidhje me ngjarjen: babain e fëmijës, menaxherin e hotelit dhe menaxherin e pishinës.

Sipas informacioneve zyrtare, personat e ndaluar janë: babai i fëmijës, 33 vjeç; menaxheri i hotelit, 38 vjeç; dhe menaxheri i pishinës, 37 vjeç.

Ky i fundit rezulton se ndodhej në një pishinë tjetër të kompleksit në momentin kur ndodhi aksidenti fatal – një fakt që po hetohet për shkelje të protokolleve të sigurisë dhe mungesë të rojes së trajnuar.

Dyshohet për neglizhencë prindërore dhe mungesë sigurie

Tragjedia në Santorini/ Arrestohet babai i 6-vjeçarit që u mbyt

Burime nga policia greke bëjnë me dije se babai i 6-vjeçarit ishte futur në ujë për t’u larë dhe më pas, kur doli, nuk e gjeti më fëmijën pranë vetes. Djali i vogël ishte fundosur në fundin e pishinës pa u vënë re nga askush. Sipas urdhrit të prokurorit, u urdhërua arrestimi i babait për të hetuar nëse ka pasur mungesë mbikëqyrjeje apo neglizhencë që çoi në tragjedinë.

Hetimet po zgjerojnë fokusin edhe tek operacionet e hotelit, ku dyshohet për mungesë të masave të duhura të sigurisë në zonën e pishinës. Rregulloret kërkojnë që çdo pishinë hoteliere të mbikëqyret nga një person i certifikuar, por rezulton se nuk kishte një të tillë në vendngjarje në momentin kritik.

Fëmija u gjet nga një pushues

Skena tragjike u zbulua kur një nga pushuesit në pishinë ndjeu diçka në këmbë dhe kuptoi që kishte prekur trupin e pajetë të fëmijës. Menjëherë pas këtij momenti, në vend mbizotëroi paniku. Stafi i hotelit dhe disa kalimtarë bënë përpjekje të dëshpëruara për ta ringjallur, duke i dhënë ndihmën e parë dhe duke përdorur një defibrilator që ndodhej në vendngjarje.

Brenda shtatë minutash mbërriti edhe një ambulancë e shërbimit mjekësor emergjent (EKAB), por pavarësisht përpjekjeve të mëdha, fëmija u shpall i vdekur në spitalin e Thirës.

Autoritetet greke kanë nisur një hetim të plotë për të përcaktuar përgjegjësitë penale dhe institucionale për këtë ngjarje tragjike. Fokus i hetimeve janë standardet e sigurisë që duhet të zbatoheshin në ambientet e hotelit, si dhe roli i personelit të përfshirë. Nëse vërtetohen shkelje serioze, priten akuza penale për neglizhencë me pasojë vdekjen./Prothothema