Basha pret Kurtin: Nevojë për të proceduar drejt votimit të institucioneve të reja

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka zhvilluar sot një takim me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.

Gjatë takimit të zhvilluar në ambientet e Kuvendit, pas konstituimit të Legjislaturës së nëntë, Kurti ka pohuar se tashmë do t’i drejtohet Presidencës me emrin e mandatarit për Qeverinë e re në Kosovë.

“Përgjatë bisedës, Kryeministrin e falënderova për përkushtimin e Qeverisë në përmbushjen e synimeve tona të përbashkëta për zhvillim dhe drejtësi shoqërore. Diskutuam gjithashtu për rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional dhe realizimit të agjendës legjislative gjatë kësaj legjislature që sapo e filluam.

Me Kryeministrin Kurti nënvizuam edhe nevojën për të proceduar drejt votimit të institucioneve të reja që derivojnë nga Kuvendi i Kosovës. Me këtë rast, Kryeministri më njoftoi se, si kryetar i partisë më të madhe në vend, Kryetarja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosjes!, si subjekt fitues i zgjedhjeve, znj. Arbërie Nagavci, do ta dërgojë emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë tek Presidentja e vendit, sipas procedurës ligjore”, shkruan Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.

Po ashtu, gjatë takimit, Basha shprehu gatishmërinë e tij për ta udhëhequr Kuvendin me përkushtim dhe bashkëpunim të ndërsjellë.

“Kryeministri Kurti solli një dhuratë të çmuar, pikturën e titulluar ‘Pranvera Shqiptare’, punim nga Rexhep Selimi, i cili, edhe pse mbahet padrejtësisht në Hagë, është gjithmonë me ne me veprat e tij madhështore, qoftë në luftë, qoftë në punën e tij në Kuvend, qoftë në pikturë,” bëri të ditur më tej Basha në një postim të tij.

Pas gati gjashtë muajve ngërç politik, sot u konstitua legjislatura e nëntë e Kuvendit, me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar i Kryesisë nga radhët e komunitetit serb.

Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Kurtin edhe për një mandat në krye të Qeverisë së Kosovës, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, të mbajtur më 7 shtator. Kuvendi përmbylli sot seancën konstituive të nisur më 15 prill, pasi deputetët zgjodhën Nenad Rashiqin në postin e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Sipas ligjeve në fuqi, pas konstituimit të Kuvendit hapet rruga për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës. Partia fituese e zgjedhjeve, në këtë rast LVV-ja, duhet t’i dërgojë Presidentes Osmani emrin e mandatarit për Qeverinë e re.

Ai më pas, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, duhet të paraqesë përbërjen e ekzekutivit para Kuvendit dhe të kërkojë miratimin nga ana e tij. Qeveria e propozuar duhet të sigurojë të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë për t’u miratuar.