Çmimi Nobel në Letërsi 2025/ Bardhyli: Krasznahorkai, një zë i madh i letërsisë që i flet kohës sonë

Në një intervistë për "Ora News", drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, foli për rëndësinë e Nobelit në Letërsi dhe vlerat e shkrimtarit hungarez László Krasznahorkai, fitues i këtij çmimi.

" Nobeli në letërsi është një ngjarje e rëndësishme në fushën e letrave botërore. Tetori nis pikërisht me këtë ngjarje të madhe ku e gjithë bota letrare kthen sytë nga Stocholmi, se cili do të jetë autoriteti i cili do të vlerësohet me çmimin e madh të letrave.

Nuk ishte një emër i panjohur. Pothuajse të gjitha reviewt apo ata që përpiqen të parashikojnë se kush do të jetë fitues i Nobelit, ishte një ndër emrat favorite apo një nga emrat që mund të fitonte çmimin Nobel.

Është një shkrimtar i përmasave të mëdha, një shkrimtar i cili flet pikërisht për atë çfarë duhet të ketë letërsia, fuqinë e artit të madh.

Vjen nga një ish-vend komunist, me histori të ngjashme me Shqipërinë.

Ajo çfarë e bën László Krasznahorkain një figurë madhore është pikërisht temat që ai trajton. Ai gjithmonë është dalluar për narrativën e tij të gjatë, për fjalitë e tij të gjata, por edhe për mënyrën sesi ai përpiqet tv gjejë dritën pikërisht aty në terrin e gjatë që përshkruajnë veprat e tij.

Thelbi i tij janë shoqëritë e rrënuara, rrënimi i moralit shoqëror, mendoj që është një letërsi që i flet shumë kohës që jetojmë", u shpreh Bardhyli.