Ecje tematike në Shtegun e Dyerve të Vjetra të Durrësit

Në qytetin e Durrësit u zhvillua me shumë entuziazëm ecja tematike përgjatë Shtegut të Dyerve të Vjetra, një përvojë kulturore dhe edukative që bashkoi qytetarë, komunitetin e huaj që jeton në Durrës, turistë, studentë dhe profesionistë të fushës së kulturës dhe trashëgimisë.

Ecja u zhvillua nëpërmjet rrëfimit interpretues, një mënyrë ndërvepruese që i udhëhoqi pjesëmarrësit në një udhëtim përmes dymbëdhjetë dyerve historike të qytetit, duke ndërthurur historinë dhe kujtesën urbane me përjetimin personal të secilit.

Gjatë aktivitetit u prezantua edhe loja edukative “Zbulo Durrësin”, e krijuar në kuadër të projektit për të afruar trashëgiminë kulturore me fëmijët dhe për të nxitur mësimin përmes lojës.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Trashëgimia Epidamn: Lidhja mes së shkuarës dhe së tashmes”, i zbatuar nga Qendra “Durrësi Aktiv” në bashkëpunim me MuZEH Lab, në kuadër të programit EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.