Çeku: 4 inspektorë të AKU vetëm vëzhgonin, asnjëri nuk mori një mostër

Gazetarja investigative Alketa Çeku ngriti sërish shqetësime serioze mbi mënyrën si funksionon siguria ushqimore në vend, gjatë intervistës së saj në emisionin “Epiqendër” në Ora News, moderuar nga Sonila Musai.

Në fjalën e saj, Çeku solli një episod konkret që sipas saj tregon jo mungesën e burimeve, por keqmenaxhimin e punës brenda institucioneve përgjegjëse, në këtë rast Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU).

 “Më ka rastisur në një lokal, vijnë 4 inspektorë të AKU-së, por asnjëri nuk merr mostër për ushqimin,” u shpreh Çeku, duke ngritur pikëpyetje mbi seriozitetin e kontrolleve që kryhen.

Sipas saj, problemi nuk qëndron gjithmonë te mungesa e burimeve apo financave, por te mënyra si ato menaxhohen. “4 veta – kanë burime njerëzore, kanë dhe buxhete. AKU nuk është aq keq, por puna është si e menaxhon,” theksoi gazetarja.